Në kulmin e fushatës së radhës kundër informalitetit, tatimet kanë paralajmëruar biznesin që të zbatojë ligjet tatimore në të kundërt do të përballen me masa ndëshkuese deri në bllokim të aktivitetit.
Sipas ligjit të procedurave tatimor, bizneset që konstatohen se nuk lëshojnë kupon tatimor, gjobiten automatikisht me 50 mijë lekë. Nëse kjo shkelje përsëritet, atëherë përveç gjobës, biznesi do të përballet me bllokim të aktivitetit për 30 ditë.
Sipas tatimeve, në rast se kompanitë e bllokuara do të tentojnë të rinisin aktivitetin atëherë atyre do u konfiskohet e gjithë sasia e mallit në inventar.
Masat ndëshkuese do të jenë të ashpra edhe për bizneset, të cilat shesin pa faturë tatimore. Sipas Tatimeve, për shitjet pa faturë tatimore biznesit do ti mblidhet detyrimi dhe mbi të do të zbatohet një gjobë sa 100 për qind e tatimit të padeklaruar.
Por nëse kjo shkelje është e përsëritur, pra nëse një biznes konstatohet për herë të dytë se shet pa faturë tatimore, atëherë përveç gjobave atij i ndryshon automatikisht edhe përgjegjësia tatimore.
Kështu bizneset që janë deklaruar me xhiro nën 2 milionë lekë do të regjistrohen menjëherë në skemën e TVSh-së. Ndërsa kompanitë e regjistruara si biznes i vogël do të kalojnë automatikisht biznes i madh.
Prej disa ditësh inspektorët e tatimeve kanë nisur kontrollet në terren në të gjithë territorin e vendit. Sipas të dhënave, deri më tani janë gjobitur me qindra biznese në shkallë vendi dhe është bllokuar aktiviteti për dhjetëra të tjera.
Top Channel