Firma e ndërtimit braktisë punimet e pallatit, banorët kërkojnë ndihmë pas vdekjes së njërit prej tyre tragjikisht.

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës firmën e ndërtimi AFE konstruksion në pronësi të babait të ish deputetes së LSI-së Klejdi Mehmetaj, ku pasi ka marrë lekët banorëve nuk ka përfunduar ndërtimin e pallatit, duke e lenë në gjysmë. Si rezultat i lënies së punimeve në gjysmë në gropën e lënë hapur të ashensorit humb jetën tragjikisht njëri prej banorëve.

Gjatë kohës që kryheshin punimet firma AFE konstruksion ka bërë shitjen e apartamenteve nga 2-3 herë duke i futur në konflikt banorët. Ata kërkojnë të mbyllin vetë punimet e pallatit, por askush nuk u jep zgjidhje nëse do të mund të kolaudohet pallati dhe të pajisen me certifikatë pronësie.

Banorët që jetojnë në lagjen ‘8 shkurt’ në Fier denoncojnë firmën ndërtuese se u ka lënë pa përfunduar ndërtimin e pallatit, ndërsa u ka marrë lekët e janë larguar. Pronarët që kanë ndërtuar pallatin janë tre vëllezërit Mehmetaj, dy xhaxhallarët dhe i ati i deputetes së LSI-së, Klejdi Mehmetaj.

Banorët i bëjnë thirrje ish deputetes Mehmetaj se ashtu siç ka ngritur zërin -për kundërshtarët politik mbi abuzimet e bëra, fillimisht ta fillojë nga familjarët e saj. “Ashtu sikur e ka ngritur zërin për abuzimet e mashtrimet kundrejt Bashës, Ramës Berishës që i ka quajtur hajdut, ta ngrejë zërin edhe ndaj të afërme të saj, babait dhe xhaxhallarëve që të përmbushin detyrimet” shprehen banorët. Firma ka braktisur punimet ndërsa ju ka thënë banorëve të futen në pallatin akoma të pa përfunduar, rrjedhimisht ngaqë punimet nuk kanë përfunduar banorët nuk janë pajisur me certifikatën e pronësisë siç parashikohej në kontratën fillestare midis palëve.

Zyra e Urbanistikës në Bashkinë Fier, pranon se ka bërë gabime që nuk ka kontrolluar punimet në pallat si dhe daljen e këtij pallati nga projekti i miratuar nga kjo zyrë. Sipas shefes së kësaj zyre në Fier ka shumë pallate të tilla të mbetura përgjysmë në punime dhe që kanë devijuar nga projekti fillestar. I vetmi institucion që mund t’i jap zgjidhje këtij problemi është Aluizni.

Gazetarët e Fiksit i janë drejtuar Aluiznit, Fier ku drejtori Kleo Muhametaj shprehet se ” Ne jemi duke parë gjendjen faktike të objektit. Nga pretendimet e banoreve thonë që janë braktisur nga pronari. Pas verifikimeve do shikojmë nëse është braktisur apo jo. Kjo edhe pas insistimit tuaj dhe ne interes të zgjidhjes së problemit. Direkt brenda këtij muaj do fillojmë verifikimet”.

Sipas ish pronarit të tokës z. Nebi Hoxhaj tokën e tij ia kishte dhënë për ndërtimin e një pallati firmës AFE konstruksion. Ndërtimi i pallatit ka filluar ne vitin 2009 dhe duhet të përfundonte në vitin 2011. “Kemi nënshkruar një kontratë me firmën AFE konstruksion janë tre vëllezër Fatmir Mehmetaj, Eqerem Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj.

Fatmiri ka qenë administrator. Më vonë mora vesh se hyrjet janë shitur 2 – 3 herë. Bëmë denoncim tek krimi ekonomik, ku u arrestua Eqerem Mehmetaj, dhe më vonë u dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier me 13 vite burg, por bëri vetëm tre muaj burg dhe u lirua” tregon z. Hoxhaj. ” Dihet lirimi i tij, pasi vajza e administratorit Fatmir Mehmetaj ishte asokohe deputete e LSI-së, Klejdi Mehmeti” shton ish pronari i truallit.

Ai vazhdon shprehet se në atë kohë që u u lirua Eqerem Mehmetaj nga Gjykata e Apelit Vlorë ministër i drejtësisë ishte deputet i LSI-së, pasi ishte PD dhe LSI në pushtet. “Shumë mirë bën deputetja që denoncon Bashën, Berishën e Ramën po harron të denoncoi super hajdutin Fatmir Mehmetaj, që është babai i saj. ai dhe vëllezërit janë fajtor për humbjen e jetës së një njeriu” përfundon Z.Hoxhaj.

Në këto kushte banorët edhe pse pagesën për apartamentet e kishin bërë të plotë u detyruan të vazhdonin vetë punimet duke vënë dyer, dritare , pllaka por kanë probleme me kolaudimin e pallatit si dhe me dokumentacionin për të marrë certifikatat e pronësisë.

Banorët ankohen gjithashtu se përveç punimeve të lëna përgjysmë, firma i ka mashtruar duke e shitur një apartament nga 2-3 herë. Ilir Seitaj është njëri prej këtyre banorëve që e ka pësuar me apartamentin e tij.

“Kemi blerë një shtëpi. Na ka futur firma brenda, na ka future në sherr, hyrjet janë shitur 2 – 3 herë. Sipas kontratës firma do bënte komplet punimet. Ata na futen para kohe brenda sepse kishin bërë shitblerje 2 – 3 herë. Ne këtu vetëm do vritemi kemi dhjetë vite. Kemi hedhur lekët për ndërtimet brenda. Tani ka mbetur vetëm kallashnikovi e të bëjmë vetëgjyqësi. ’97 e paguam, tani kemi ’97-ën e dytë në 2019” shprehet z. Seitaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA