Qeveria do të rihapë importin e automjeteve me moshë mbi dhjetë vjet. Vetëm dy muaj pas hyrjes në fuqi, vendimi i cili ndalon importin e makinave të vjetra, pritet të anulohet.

Ministria e Energjisë dhe ajo e Turizmit kanë nisur punën për përgatitjen e vendimit të ri, por mbetet ende e paqartë nëse do të lejohen të gjitha automjetet e përdorura, pavarësisht vitit të prodhimit, apo do të ketë një rritje të moshës së lejuar nga 10 vjet në një moshë më të madhe.

Vendimi për të ndaluar importin e makinave më të vjetra se dhjetë vjet u trumbetua nga qeveria si një masë, e cila do të ulte ndjeshëm ndotjen e ambientit.

Vetë kryeministri Rama përmes një videopostimi në Facebook, pati informuar publikun se 80 për qind e automjeteve në Shqipëri janë me certifikatë euro 3, me moshë të vjetër prodhimi dhe shkaktojnë 3 herë më shumë ndotje nga niveli normal.

Por pas kundërshtimeve nga tregtarët e automjeteve të përdorura, qeveria duket se është tërhequr dhe ka ndryshuar tërësisht qëndrim, duke rikthyer sërish importin e tyre, pavarësisht nivelit të ndotjes.

Aktualisht mosha mesatare e automjeteve që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë është ndër më të lartat në Europë, rreth 20 vjet, ndërkohë që shumica e vendeve të Bashkimit Europian kanë vendosur kritere të forta në këtë drejtim, duke lejuar vetëm automjetet me certifikatën euro 6, që janë të viteve më të fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA