Ka kaluar më shumë se dy muaj që kur u shpallën fituesit e tenderit për rindërtimin e segmentit të Unazës së Re nga sheshi “Shqiponja” e deri tek Pallati me shigjeta, por puna në terren nuk ka nisur ende.
Në lotet ku tenderi nuk është anuluar, është bërë vetëm heqja e pemëve dhe përcaktimi i perimetrit të kantierit, por në asnjë vend nuk po punohet.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) thotë se puna në dy lotet e Unazës së Re ku nuk është anuluar tenderi, nuk ka nisur pasi nuk ka dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet. Ky dokument pritet të miratohet nga qeveria së shpejti dhe pasi të kryhen pagesat e shpronësimeve, do të nisë prishja e objekteve me leje dhe më pas puna për rindërtimin e Unazës së Re.
Ky segment i unazës me tre lotet e tij do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 40 milionë euro. Qeveria parashikon që puna do të zgjasë rreth 2 vjet e gjysmë. Nga ana tjetër, ky projekt po haset me shumë kundërshtime, në radhë të parë janë banorët e zonës së Astirit që kundërshtojnë prishjen e shtëpive dhe protestojnë pothuajse çdo ditë. Ndërkohë, vetë tenderi po hetohet nga prokuroria për procedurat e ndjekura. Për lotin ku përfshihet ndërtimi i mbikalimit tek sheshi “Shqiponja” u zbulua dhe më pas u konfirmua nga autoritetet amerikane se kompania fituese DH Albania kishte falsifikuar bilancet dhe dokumentet e origjinës në Shtetet e Bashkuara.
Kurse prokuroria shqiptare po verifikon të gjitha shkresat e ndjekura për të treja lotet, duke përfshirë ato që nuk është anuluar tenderi.
Top Channel