Stuhia që ngriti largimi i Nikola Gruevskit nga vendi ka përfshirë edhe Shqipërinë, ose më saktë, në këtë tymnajë, vendin tonë e zhytën mediet serbe, me raportet se ish-kryeministri maqedonas, i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, ka mundur të arratiset përmes Tiranës.

Sipas tyre, Gruevski kaloi kufirin maqedonas-shqiptar me një pasaportë të rreme, e pas kësaj është nisur me avion nga kryeqyteti ynë drejt Budapestit. Autoritetet e Shkupit nxituan ta deklaronin që një ditë më parë se, ish-shefi i ekzekutivit nuk kishte kaluar nga ndonjë pikë kufitare, e kjo ngjalli dyshimet se mund të ketë përdorur një pasaportë bullgare, por Sofja e hodhi poshtë kategorikisht një mundësi të tillë.

Policia shqiptare këmbëngul se, nga Rinasi nuk është nisur askush me këtë emër. Ambasada hungareze në Tiranë, sakaq, e kontaktuar nga Top Channel, refuzoi të komentonte mbi situatën dhe mbi pretendimet se Gruevski është strehuar atje për një natë.

Në Budapest, ish-kryeministri maqedonas padyshim gjendet sot në kushte shumë më të mira sesa ato të qelisë që duhet ta ndante me persona të tjerë, foton e së cilës e bëri publike televizioni Alsat.

Saga e Gruevksit sapo ka nisur. Partitë opozitare hungareze i bënë thirrje qeverisë hungareze ta arrestojë dhe ta ekstradojë sa më shpejt, me argumentin se ai nuk po largohet nga një vend ku ka luftë dhe se nuk është i përndjekur mbi baza fetare apo politike.

Edhe ministri gjerman për Çështjet Europiane, Michael Roth ironizoi me pretendimet e Gruevskit për azil, duke shkruar në Tëitter se është mirë që Hungaria po i hap kufijtë për refugjatët. Së fundi, mbi situatën ka reaguar dhe Departamenti amerikan i Shtetit, i cili tha se Gruevski duhet të paraqitet para drejtësisë dhe të vuajë dënimin me burg në vendin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA