Fatmir Xhafaj: Audio-përgjimi, sajesë! Po shantazhohem nga interesat e krimit! Prokuroria të hetojë

16/05/2018 18:56

Fatmir Xhafaj doli pak minuta pas orës 18:30 në takimin e paralajmëruar për mediat dhe fjalën e nisi me sqarimin se nuk po dilte për të sqaruar akuzuesit e tij, por për publikun dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Si ministër i Brendshëm i akuzuar si i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës, bëhet edhe më detyrues dalja ime publike ndaj llogaridhënies së qytetarëve që kërkojnë të dinë se si qëndron e vërteta”, deklaroi ai.

Ministri i Brendshëm bëri sërish rezymenë e historisë së vëllait të tij, Agron Xhafaj dhe kujtoi se në 2002, në kohën kur qeveria drejtohej nga Kryeministri Pandeli Majko i kishte dorëzuar dorëheqjen nga posti i ministrit të Turizmit që mbante.

“Ngjarja ka ndodhur në vitin 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjeç në atë kohë. E kanë ndaluar për 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin nga Italia. Kam qenë ministër i Turizmit në qeverinë Majko. Kam kërkuar dorëheqjen për këtë ngjarje, por pasi u panë rrethanat dhe përfshirja ime, kryeministri nuk e pranoi dorëheqjen time”, tha ai.

“Agroni për asnjë çast nuk iu fsheh hetimit, por ka kërkuar që të marrë pjesë në këtë çështje. Vendimi përfundimtar ka vite që është në fuqi, asnjë veprim i imi nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit penal ndaj tij. Asnjëherë si funksionar publik dhe si ministër nuk kam bërë kompromis me faktin që vëllai im nuk duhet të vuante dënimin e dhënë, edhe pse ajo cka ai ka bërë është e shpërpjestuar me dënimin e madh”, shtoi ministri Xhafaj.

Me vendimin për t’iu dorëzuar autoriteteve italiane, thotë se Agroni nuk i dha mundësinë që ta testonte si ministër të Brendshëm.

“Unë nuk e nxita që ta kryente këtë akt, por ai nuk ma dha mundësinë që të provonte Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm nëse do të kërkohej ndonjëherë ekstradimi i tij”, thotë ministri Xhafaj.

Ministri i Brendshëm e quajti sajesë audio-përgjimin dhe i kërkoi Prokurorisë që të hetojë sa më parë. Ai thotë se po shantazhohet nga opozita.

“Sajesë e plotë! Një mashtrimn nga fillimi deri në fund! Manipulim dhe i bërë keq. Nëse nuk e ka bërë opozita, ajo ka rënë viktimë e tij edhe pse në këtë rast tregoi se sa ligësi prodhon një pjesë e kësaj opozite. Interesa intime të saj janë bërë bashkë me interesat kriminale të grupeve të caktuara brenda dhe jashtë sistemit të kalbur të drejtësië. Janë gati të bashkëpunojë edhe me djallin vetëm e vetëm që kjo qeveri të ikë sa më parë. Garantoj se edhe nëse unë do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, kolegët dhe partnerët ndërkombëtarë nuk do të prishet më. Shpejt edhe SPAK edhe BKH do të jetë në funksion e krimi do të humbasë terren. Askush nuk më shantazhon, askush nuk më pengon në arritjen e qëllimeve të mia”, thotë Xhafaj.

Përgjigje pati edhe për akuzat se ka falsifikuar Kodin e Procedurës Penale.

“Është akuza më qesharake dhe nuk u besoj veshëve kur e dëgjoj. Nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë nen, por e mbroj si një nen që është në përputhje me Konventën, Kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë. Është standard ndërkombëtar! Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit”, thotë ai.

Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se nuk do të japë dorëheqjen dhe se një gjë të tillë nuk ja ka kërkuar as Kryeministri Rama. Për një gjë u shpreh i sigurtë.

“Garantoj se edhe nëse unë do të kisha ikur nga kjo zyrë, çfarë është bërë nga unë, kolegët dhe partnerët nuk do të prishet më. Shpejt edhe SPAK edhe BKH do të jetë në funksion e krimi do të humbasë terren”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA