Shkarkohet gjyqtari i Kushtetueses. Ikën Fatos Lulo pas verifikimit të gjysmë milioni dollarë

23/03/2018 11:16

Komisioni i Pavarur i Kualfikimit (KPK) e ndëshkoi me “karton të kuq” gjyqtarin kushtetues Fatos Lulo, i cili ishte një nga “rojet” e Kushtetutës që prej vitit 2013.

Kryesuesja e KPK-së nuk i bëri publikë argumentat që largojnë nga drejtësia Fatos Lulon, arsyetime që do të duhet të bëhen publike brenda 30 ditëve. Vendimi, i cili është administrativ, konsiderohet i shkallës së parë, por që të marrë formë përfundimtare duhet të shqyrtohet edhe në shkallën e dytë të organeve të vetting-ut, që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Fatos Lulo nuk ishte në asnjërën prej seancave, ndërsa avokati tij, Ardian Visha, e konsideroi vendimin të padrejtë dhe lëvizje të ulët.

Fatos Lulo iu nënshtrua skanimit të trefishtë të vetting-ut për pastërtinë e figurës, aftësitë dhe pasuritë, por që me sa duket këto të fundit e nxorën atë jashtë drejtësisë. Një raport i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive konstatoi se Lulo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë. Aty evidentohen dhuratat e të motrës prej 100 mijë eurosh në një rast, një zyrë avokatie, por edhe një borxh prej 480 mijë dollarësh kanadezë, i marrë prej saj për të blerë një banesë në Kanada.

Por, avokati pretendon se borxhi është kthyer, ndërsa ILDKPI këmbëngul se gjyqtari Lulo nuk ka paguar taksat përgjatë 10 viteve.

Vëzhguesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk mundi t’i drejtojë pyetje njeriut të drejtësisë që u përball i pari me vetting-un sepse ai mungonte dhe përfaqësohej nga avokati i tij. Nuk dihet ende nëse këtë formulë do ta ndjekin edhe njerëzit e tjerë të drejtësisë. Por, ajo që u kuptua nga dy seancat e para ndaj gjyqtarit Fatos Lulo është se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka hartuar rregulla të qarta për pjesëmarrjen e publikut, ndoshta për të ruajtur nderin e të ndershmëve dhe të pandershmëve në drejtësi, por edhe për të mos i dhënë procesit përmasat e një gjyqi publik. Nëse kjo do të ndodhte, pra, nëse do të zhvillohej një gjyq publik, atëherë dëmet ndaj drejtësisë do të ishin afërsisht të njëjta sa edhe dëmet që solli korrupsioni në drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA