Foto ilustruese

Një 41-vjeçar u ekzekutua në Tiranë, pas një prite të ngritur në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Dy persona me motoçikletë, kryen qitje me pistoletë, duke vrarë 41-vjeçarin Devi Kasmi.

Sipas policisë ata kanë qëlluar pesë herë, në kokë dhe në trup, duke u siguruar për ekzekutimin e shënjestrës së tyre. Në informacionin e saj zyrtar, policia njoftoi se mori telefonatë në orën 18 e 44 minuta, për të shtëna me armë zjarri.

Pak minuta më vonë, patrullat policore gjetën trupin e pajetë, të shtrirë në tokë, në afërsi të morgut të Tiranës. Pas dhënies së informacionit të të gjitha patrullave të tjera me shërbim, në kryeqytet janë ngritur postblloqe nisur edhe nga përshkrimet e bëra nga dëshmitarët e paktë okularë.

Në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dy armë, të cilat janë dërguar në laboratorin shkencor të kriminalistikës për ekspertizën balistike. Policia gjatë marrjes të provave në vendin e ngjarjes nuk mundi dot të përcaktojë nëse ato janë armët me të cilat është kryer krimi, apo ndonjë prej tyre ka qenë në pronësi të viktimës.

Grupi hetimor i kësaj çështjeje ka marrë të dhënat e para për viktimën, i cili ishte një person, që edhe pse nuk kishte precedentë penalë, hetohej për trafiqe të jashtëligjshme.

Kasmi 41-vjeçar ishte kthyer së fundmi nga vendet e Bashkimit Europian, ku dyshohet se ishte i përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës. Edhe pista kryesore në të cilën po heton policia ka të bëjë me një krim tjetër të mundshme të kryer jashtë kufijve shqiptarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA