Enti Rregullator i energjisë do të mbajë të njëjtën strukturë tarifash të energjisë në 2018 për konsumatorët familjarë.

Projektvendimi dhe bordi i ERE pritet ta miratojë këtë javë. Burime nga ky institucion konfirmojnë se edhe për vitin e ardhshëm konsumatorët familjarë do të paguajnë 9,5 lekë pa TVSH për çdo kilovat/orë, tarifa e shërbimit do jetë 200 lekë në muaj. Çmimet do të mbeten të palëvizura edhe për furnizuesit e tjerë në tensionin e ulët.

Në fakt, megjithë situatën e vështirë financiare për shkak të importeve të larta OSHEE nuk kërkoi ndryshime çmimesh për familjarët, por rishikim të tarifave për bizneset e lidhura në kategori tensioni mbi 0,4 kilovolt.

ERE ka marrë në analizë të gjithë situatën e sektorit dhe në çmimet që do të rinovohen përfshihet edhe tarifa e OST dhe KESH. Enti Rregullator i Energjisë po synon që të hartojë një strukturë çmimesh afatmesme që kompanitë operuese të punojnë me objektiva që e tejkalojnë vitin.

Ndërkohë nga ana tjetër, me 1 janar 2018 nis një fazë e re e liberalizimit të tregut të energjisë. Mbi 76 biznese të lidhura në nivelin e tensionit 35 kilovolt do të duhet ta sigurojnë energjinë nga tregu i parregulluar, pra me çmime që nuk vendosen nga ERE dhe OSHEE nuk do të ketë detyrimin për t’i furnizuar. Gjithsesi, nëse ata që do të vazhdojnë të jenë të lidhur me rrjetin e operatorit të shpërndarjes do të duhet të lidhin kontrata individuale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA