Instituti i Statistikave raportoi se eksportet u rritën me 225 milionë euro për 11-mujorin e këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, për periudhën janar-nëntor, kompanitë shqiptare eksportuan jashtë 1.88 miliardë euro mallra nga 1.65 miliardë euro, që ishte shifra për janar nëntorin e vitit të kaluar.
Të dhënat e detajuara tregojnë se rritja e eksporteve është ndikuar kryesisht nga tre grupe që janë materialet e ndërtimit, industria e fasonit dhe artikujt bujqësor, ndërkohë që eksportet e mineraleve dhe energjisë kanë shënuar rënie krahasuar me vjet.
Eksportet shqiptare shënuan rënie gjatë dy viteve të shkuara si pasojë e uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve. Ndonëse gjatë këtij viti rënia është rekuperuar, Shqipëria mbetet sërish vendi që eksporton më pak në rajon, një tregues që dëshmon konkurueshmërinë e ulët të ekonomisë.
Në një raport të publikuar vetëm pak ditë më parë, FMN vëren se arsyet pse Shqipëria ka eksportet më të ulëta në rajon, janë korrupsioni i lartë, institucionet dhe infrastruktura e dobët, kompleksiteti i sistemit tatimor, si dhe vështirësitë e kompanive për të patur akses në financim.
Sipas FMN, këta faktorë pengojnë ekonominë që të bëhet më konkurruese duke frenuar eksportet dhe rritjen e kompanive.
Top Channel