Përleshje në Katalonjë, Madridi “plaçkit” veprat e artit

11/12/2017 16:51

Policia në Katalonjë nisi transferimin me forcë të veprave mesjetare të artit, sipas urdhrave të Madridit, në kuadër të betejës ligjore për pronësinë me krahinën fqinje të Aragonës.

Operacioni, që nisi të hënën, përfshin 44 objekte që mbahen në Muzeun kalatanas të Lleidas, por që vijnë nga Manastiri i Sijenas.

Sipas krahinës së Aragonës, veprat e artit u shitën ilegalisht nga murgeshat e manastirit. Një gjykatë spanjolle vendosi në vitin 2015 se Aragona kishte të drejtë, por Katalonja refuzoi të dorëzonte veprat e artit.

Urdhri për transferimin e tyre me forcë nga policia u dha nga Ministria e Kulturës në Madrid, pas një peticioni të një gjykatësi në Aragonë.

Sigurisht që marrja me forcë e veprave të artit u prit me rezistencën e katalanasve, që u përballën me policinë, megjithëse nuk mundën që të ndalojnë operacionin e saj.

Tensioni mes Madridit dhe Katalonjës është mjaft i lartë për çështjen e pavarësisë. Vendimi i qeverisë qendrore në Spanjë vjen ndërsa ajo ka kontrollin e krahinës rebele, e nga katalanasit është cilësuar si plaçkitje e pasurisë së vendit të tyre.

Shumë spanjollë thonë se, ndërsa vendimet e gjykatës nuk duhen diskutuar, Manastiri i Sijenas ka vepra arti të shpërndara në Madrid, Toledo, Salamanca, e madje edhe në SHBA, por nuk ka raporte që të ketë kërkuar edhe kthimin e tyre.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA