Briken Calja humb ndjenjat pas gare nga dehidratimi

02/12/2017 15:01

Peshëngritësi Briken Calja, ka humbur ndjenjat pas garimit në botërorin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sportisti shqiptar që zuri vendin e katërt në dygarësh kaloi disa orë në spital, ndërsa raportohet se gjendja e tij është e mirë.

“Hëngra ushqimin para garës dhe fillova të kisha disa dhimbje barku, mendova nuk ishte gjë, por me kalimin e kohës po shtoheshin këto dhimbje. Nuk mbaj mënd asgjë nga provat e fundit me 180 KG, menjëherë sapo u largova nga pedana humba ndjenjat dhe më dërguan në spital”, deklaroi për Top Channel peshëngritësi.

Calja ka qëndruar për reth 5 orë në spital, ku i është dhënë ndihma e shpejtë dhe më pas ka bërë analizat përkatëse. Sipas përgjigjes së tyre, mjekët i kanë thënë se ka patur një dehidratim 3 herë mbi normat dhe kjo i ka sjellë humbjen e ndjenjave. Tashmë është normalizuar sa i përket gjëndjes shëndetësore për sportistin shqiptar dhe pas kësaj situate, Calja tregon se pavarësisht të gjithave është i kënaqur për rezultatin e arritur.

“Të jesh i katërti në botë nuk është një rezultat i keq. Vendi ynë në hartë nuk është as sa një majë stilolapsi, jo më të dalim të katërtit në botë, duke patur parasysh kushtet. Megjithatë më vjen inat sepse humba një medaljeje të artë në shtytje dhe një të argjendtë në dygarësh”, tha Calja.

Briken Calja garoi në peshën 69 kg, në stilin e shkëputjes u rendit i katërti me 142 kg, ndërsa stilin e shtytjes, ai u rendit në vendin e pestë pasi ngriti 175 kg. Në total në dygarësh Briken Calja u rendit në vendin e katërt me 317 kg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA