Kolegët e lënë në burg Shkëlqim Mirin. Avokati: Gjyqtari, i sëmurë me tumor

12/11/2017 12:08

Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi të ligjshëm ndalimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, e vendosi ndaj tij masën “arrest me burg” me dyshimet se ai ka kryer korrupsion për të lehtësuar pozitën para drejtësisë të Gentian Dodës, i dorëzuar prej amerikanëve si një i shumëkërkuar.

Në seancën me dyer të mbyllura iu tregua gjykatës mbi përgjimet e kryera ndaj kushëririt të gjyqtarit, Kujtim Mirit, që shfaqet në kamera duke marrë një valixhe me lekë, të dorëzuara nga ndërmjetësi tjetër Alban Buçi, aktualisht i shpallur në kërkim.

Prokuroria thotë se, pas këtij momenti, Alban Buçi njofton në “whatsapp” Gentian Dodën, që priste vendimin në burg.

“Rri pa merak, i dorëzuam dokumentet. I thamë s’kemi gjë tjetër, vetëm shpirtin. Do të dalësh nga mesi i muajit tjetër”, thotë ndërmjetësi.

Prokurori Klodian Braho pretendon se dorëzimi i së paku 20 mijë eurove për të lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë Mat është bërë më 30 maj të këtij viti, ndërkohë që hetimet kanë nisur më herët, pas informacioneve se gjykatat po hapnin rrugën për lirimin e Dodës, i cili nga i dënuar me 20 vite për vrasje, përfundoi i shpallur fajtor për plagosje me pasojë vdekjen.

Ndërsa Prokuroria, me vendim gjykate ka të sekuestruara në një llogari të posaçme mbi 250 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e Shkëlqim Mirit, avokati i tij Ardian Visha këmbëngul se kjo shumë do të shpenzohej për kurimin e klientit të tij.

“Shuma e konsiderueshme natyrisht është relative në kushtet e kohës sonë kapitaliste ku jetojmë. Ky gjyqtar ka 25 vite që punon me një pagë të konsiderueshme, bashkëshortja e tij ka një pagë të konsiderueshme gjithashtu. Në fund të majit, ky gjyqtar ka shkuar në Gjermani dhe është konfirmuar ekzaminimi i bërë nga Spitali Amerikan, me tumor në kokë. Gjendja shëndetësore, natyrisht ka edhe nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale”, tha avokati Ardian Visha.

Të hënën pritet të dalë para gjykatës edhe kushëriri i gjyqtarit, Kujtim Miri, që shihet si njëri nga ndërmjetësit në këtë aferë korrupsioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA