Banka e Shqipërisë nënshkroi një Memorandum Bashkëpunimi me Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë.
Memorandumi u nënshkrua nga guvernatorët, Gent Sejko dhe Murat Çetinkaya.
“Ky memorandum i shton një dimension të ri marrëdhënieve midis vendeve tona. Ai konfirmon vullnetin për të rritur më tej këtë bashkëpunim dhe për të konsoliduar lidhjet midis dy vendeve, duke u krijuar të dy institucioneve hapësirën e nevojshme për intensifikimin e shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të bankingut qendror, si: mbikëqyrja, stabiliteti financiar, puna kërkimore, edukimi financiar etj., si dhe të dialogut të rregullt në nivel teknik e politik. Ai përbën një hap të rëndësishëm për të përfituar maksimalisht nga efektet pozitive të integrimit dhe për të minimizuar ato negative”, tha në fjalën e rastit, Guvernatori Sejko.
Sejko nënvizoi rëndësinë e memorandumit në kontekstin ndërkombëtar, stadin e marrëdhënieve dypalëshe dhe drejtimet kryesore të bashkëpunimit në të ardhmen.
Pesha e Turqisë në ekonominë shqiptare është e fortë si partneri i katërt tregtar me Shqipërinë dhe i gjashtë sa i përket investimeve.
Sejko nënvizoi gjithashtu se janë rreth 429 kompani të përbashkëta dhe interesi i investitorëve turq është i madh.
“Stoku i investimeve të huaja direkte nga Turqia llogaritet në rreth 481 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 4.3% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Këto investime janë përqendruar kryesisht në fusha si: energjetika, përpunimi i metaleve, telekomunikimi dhe ajo financiare”, deklaroi Guvernatori.
Top Channel