Ndryshe nga sa mendohej, bizneset e vogla nuk do të futen të gjitha në skemën e TVSH-së. Ministri i Financave zbuloi se bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit do të jenë të përjashtuara nga kjo taksë.
“Nëqoftëse sot janë gati 70 mijë biznese, që janë jashtë skemës së deklarimit të TVSH-së, gjithsej brenda skemës do të hyjnë vetëm 9.000. Plot 61 mijë do të ngelen sërish të përjashtuara, për shkak të nivelit të tyre të ulët të xhiros nën dy milionë”, tha ministri Ahmetaj.
Taksa mbi pronën, 50 euro për 100 mijë euro. Bizneset, trefish
Qeveria ka bërë publike për herë të parë edhe të shumëpërfolurën taksë për pronën. Taksa e pronës për familjet do të jetë 0.05 për qind e vlerës së pronës.
Sipas dispozitës së re ligjore, një familje që ka një apartament me vlerë tregu 100 mijë euro, vitin e ardhshëm do të paguajë 50 euro taksë prone.
“Duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse… Nga një taksë fikse që bazohet në sipërfaqen e ndërtesës, e shprehur në metër katror, në një taksë në përqindje, e cila aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës”, tha më tej ministri Ahmetaj.
Fillimisht ajo do të zbatohet vetëm mbi ndërtesat, e më vonë do të shtrihet edhe te trualli dhe toka bujqësore. Për ndërtesat e biznesit, taksa do të jetë 3 herë më e lartë sesa për familjet.
“Këtu sipërmarrja përfiton një lloj uljeje të ngarkesës, krahasimisht me atë që ka qenë taksë fikse 400 lekë për metër katror”, deklaroi Arben Ahmetaj.
Taksat për turizmin, përjashtohen “5 yjet” për të thithur investime të mëdha
Pas taksës së pronës, ndryshimi i dytë është ai që prek sektorin e turizmit, përkatësisht hotelet e reja me 5 yje.
“Për hotelet me 5 yje që do të ndërtohen rishtaz, 6% TVSH për të gjitha shërbimet brenda mureve të strukturës akomoduese me 5 yje ‘brand name’”, u shpreh Ahmetaj.
Këtë lehtësi e përfitojnë vetëm markat e hoteleve të listuara si “brand name” nga Organizata Botërore e Turizmit.
Paralelisht, hotelet luksoze përfitojnë përjashtim nga tatim-fitimi.
“Duke e ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale për strukturat akomoduese, hotele me 4 dhe 5 yje. Përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të investimeve të kryera në ndërtimin e strukturave akomoduese me 5 yje”, tha Ahmetaj.
Sipas qeverisë, kjo masë synon të nxisë investimet në turizmin elitar, një sektor kyç për ekonominë.
Top Channel