Histori personale, luftë me penalata

05/03/2016 00:00

Edlira do të kish dashur që i biri t’i fliste. Por Drini, që ka mbushur 18 vjeç e gjysëm artikulon veçse pak fjalë, edhe ato me rrokje.

Edlira do të kish dashur që i biri t’i fliste. Por Drini, që ka mbushur 18 vjeç e gjysëm artikulon veçse pak fjalë, edhe ato me rrokje.

E dënuar me heshtje, bota e tij e koklavitur katër vjet me parë papritmas i befasoi të gjithe duke nxjerrë në pah një talent të rrallë, ashtu siç ndodh me 3 përqind të fëmijëve autikë.

“Drini ka shpalosur talentin me bojëra në shkollë. Ka filluar të pikturojë me lapsa me ngjyra, pastaj e pashë që i pëlqente furça. Unë thjesht si nënë thashë po e provoj njëherë”, rrëfen Edlira.

Prej 4 vitesh piktura zë një vend të rëndësishëm në jetën e Drinit, i vetmi vend ku prania e të tjerëve nuk nevojitet, e vetmja mënyrë për të dale nga humnera e frikshme e autizmit e për të vendosur një lidhje me botën perreth.

“Aty shpaloset, gjen veten. Shpalos ndjenjat, mendimet dhe gjithçka, pasi sic e patë ai artikulon shumë pak dhe unë si nënë me zor e kuptoj. Në mendjen e tij ai e koncepton shume bukur botën, me ngjyra, njerezit të mirë, është një ëngjëll””, vijon e ëma e Drinit.

Edlira e di se piktura nuk do t’i falë kurrë drithërimat e një dashurie, energjinë e jetës me miqtë, grishjen për të qënë dikush. Por ajo e ndihmon Drinin të jetojë. Dhe për një djalë autik, që s’është më fëmijë, kjo s’është pak.

“Me 9700 lekë që jepet invaliditet dhe kujdestari është skandal. Bojërat po ia blej duke kursyer nga buka e gojës. Nuk dua t’ia humb talentin. Duke u qetësuar me artin, ky fëmijë po më shpalos të folurin dhe dhunti të tjera””, thotë Edlira më tej.

Edlira nuk e harron kurrë ditën kur në moshën një vjec e gjysmë, një mjek pati guximin t’i thoshte se i biri nuk ishte normal. Se fëmija ishte autik, dhe kjo qe një gjendje pa kthim.

“Shumë traumatike. Hoqën dorë specialistët, thanë nuk bëhet. Ose ta braktisësh e të shikosh jetën tënde ose këtë fëmijë do e kesh barrë tërë jetën, sepse ai jo vetëm s’fliste, nuk kuptonte, s’kishte lidhje me realitetin””, rrëfen Edlira.

Ajo e Edlirës ishte zgjedhja më e vështirë, por tek e fundit, zgjedhja dhe vetmohimi i një nëne. Me profesion ekonomiste, ajo braktisi karrierën, veten e saj për t’iu përkushtuar fëmijës së sëmurë, ndonëse pas pak kohësh solli në jetë edhe një djalë tjetër.
“Por unë zgjodha sfidën, po shoh rezultatet e këtyre viteve pune, sakrifice. Unë jam e detyruar ta bëj vetë punën e mësuesit, të mjekut, të infermierit, të shërbimit social, të gjithçkaje, të shoqëruesit””, thotë Edlira.

Edlira i qëndron pranë në çdo çast duke e thjeshtuar botën e saj në një njeri të vetëm, ku ajo nuk jeton veçse për dhe nëpërmjet tij. Ishte dëshira e saj që Drini të ndiqte shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno”, që i biri të socializohej me fëmijët si gjithë të tjerët. Ishte po ashtu dëshira e saj çelja e kësaj ekspozite që njerëzit të njohin talentin e Drini Sallakut,

“Por megjithatë jam një nënë që këmbëngul, them do eci. Ky fëmijë është shumë punëtor. E kam rehabilituar deri në këtë moshë dhe ka talentin e veçantë që shumë autikë e kanë dhe kërkoj ndihmë. Dua ta integroj në punë, në arsim profesional dhe të ecë me këmbët e veta dhe të mos ketë varësinë e askujt pasi dhe mosha jonë është e kufizuar”, thotë Edlira.
Në Shqipëri në fakt flitet vetëm për autizmin e të vegjelve kur janë me qindra rastet e atyre që pasi kalojnë në moshë madhore, vazhdojnë të mbeten autikë. Ajo e Edlirës është historia e një nëne plot kuraje, që me vetëdije ka vendour ta flakë maskën e dhimbjes, sepse kur ke një fëmijë me hendikap, mëshira ka më të keqen e shijeve. Edlira kërkon vetëm ndihmë nga shteti, që të krijojë struktura të posaçme që njerëzit autikë si Drini kur të rriten të mos jenë vetëm, të kenë një strehë

“Unë faktikisht kërkoj ndihmë prapë, se është 18 vjeç e gjys, dua ta integroj në punë, ta integroj profesionalisht dhe ai të kapë një profesion që e bën. Të ecë me këmbët e veta të mos ketë varësi nga askush, pasi dhe mosha jonë njerëzore është e kufizuar”, përfundon ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA