Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ka nisur zyrtarisht një proces reforme institucionale në bashkëpunim me Unionin Evropian të Transmetuesve Publikë (EBU), me qëllim transformimin e transmetuesit publik në një institucion modern, të qëndrueshëm dhe në shërbim të publikut.
Nisma u konfirmua gjatë vizitës në RTSH të Drejtorit të Përgjithshëm të EBU, Noel Curran, i cili u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Eni Vasili. Gjatë takimit, Curran u njoh nga afër me sfidat dhe situatën komplekse që po kalon media publike në Shqipëri.
Në kuadër të kësaj vizite, Curran, së bashku me drejtuesit e RTSH, zhvilloi një takim edhe me Kryeministrin Edi Rama, ku iu prezantua raporti 60-faqesh i hartuar nga grupi i ekspertëve të EBU për gjendjen dhe funksionimin e RTSH. Pas njohjes me gjetjet e raportit dhe planin e veprimit, Kryeministri shprehu mbështetjen e tij për nisjen e reformës dhe për procesin e transformimit të transmetuesit publik.
Vizita e përfaqësuesve të EBU vjen pas misionit të Shërbimeve Transformuese të zhvilluar në datat 18–20 nëntor 2025, gjatë të cilit një grup ekspertësh punoi për tre ditë me stafin e RTSH për të analizuar strukturën dhe funksionimin e institucionit, duke hartuar një raport diagnozë mbi sfidat dhe nevojat për reformim.
Sipas drejtuesve të RTSH, bashkëpunimi me EBU shënon fillimin e një faze të re reforme për transmetuesin publik, me synimin për të forcuar rolin e tij si një media e besueshme, e pavarur dhe në shërbim të qytetarëve.
Top Channel