“Po na prishin shtëpitë, po na marrin jetën”, Shehaj shkon në Durrës në mbështetje të banorëve që u preken banesat TID

10/02/2026 15:02

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka qenë sot pranë qindra qytetarëve të Durrësit në mbështetje të protestës së tyre kundër projektit që parashikon prishjen e banesave ku ata kanë jetuar prej vitesh në lagjen historike të qytetit.

Kreu i Mundësia kërkoi nga Policia që të hapen dyert dhe të lejohen banorët të kenë mundësi të diskutojnë për shqetësimet e tyre me përfaqësuesit e Bashkisë.

“Nuk kanë të drejtë qytetarët e Durrësit të jenë të pranishëm në mbledhje? Ligji parashikon që qytetarët e Durrësit nëse janë të prekur nga një vendim i Këshillit Bashkiak kanë të drejtë të jenë prezentë dhe të kërkojnë të diskutohet” u shpreh Shehaj.

Banorët theksojnë se nuk janë dëgjuar në asnjë moment nga përfaqësuesit e Bashkisë për pretendimet e tyre. Pavarësisht se kanë kërkuar një takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, banorët thonë se janë përballur me heshtjen e këtij institucioni.

“Ne po na prishin shtëpiat, po na marrin jetën”, shprehet një qytetare.

Sipas Shehajt, ndërkohë që banorët protestojnë dhe kërkojnë të drejtën e tyre, “të korruptuarit të mbyllen aty brenda e të marrin vendime kundër interesit qytetar”.

“Këta qytetarë nuk kanë ardhur këtu për qejf, kanë ardhur këtu sepse kanë një hall që ti nuk e ke sepse nuk kanë ardhur te shtëpia jote të të japin dy lekë e të thonë dil përjashta tani. Kanë ardhur tek shtëpia e këtyre qytetarëve këtu. Janë këtu se kanë një hall dhe ti na tregon Kushteutën dhe nenin me arrogancë që të korruptuarit të mbyllen aty brenda e të marrin vendime kundër interesit të qytetarëve shqiptarë”, tha Shehaj.

“Nuk jam i autorizuar të jap përgjigje, këtu nuk mund të lejohet të futet askush përveçse një përfaqësues”, tha punonjësi i Policisë.

“Çfarë ligji mor Agron ajo po vjedh, edhe këta e dinë mor Agron por mbajnë punën”, u shpreh një qytetare që priste jashtë derës së Këshillit Bashkiak të Durrësit.

Banorët e mbledhur jashtë Bashkisë kërkonin të ishin prezentë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku diskutohej edhe për miratimin e subvencioneve për familjet që preken nga projekti TID.

Më herët gjatë ditës ata u përplasën me Policinë dhe disa prej banorëve u shoqëruan më forcë në Komisariat nga uniformat blu që nuk i lejuan banorët të futen në Këshillit Bashkiak për një takim me kryebashkiaken.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB