Pas deklaratave të Trump se NATO qëndroi larg vijave të frontit në Afganistan, reagon Shtëpia e Bardhë: Ai ka të drejtë, kontributet e Amerikës janë…
Nga Mentor Nazarko
Po të dëgjoje ekspertët e përciptë, të vendosur apo të vetëvendosur në fillim të mandatit të Presidentit Trump, mbi Kosovën dhe shqiptarët, retë do të dukeshin tërësisht të zeza.
Ish-kryeministri Kurti kishte marrë pjesë në Konventën e Kamala Harris, si një çarje e izolimit personal në SHBA në vitin 2024, ndërkohë që Trump po shkonte drejt fitores. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai kishte dhënë edhe një intervistë shumë të suksesshme për dy komedianë hibridë rusë, duke u tallur hapur me Grenell, të dërguarin presidencial për Ballkanin.
Në të njëjtën kohë, djali i Presidentit Trump zhvillonte podcast me Vuçiçin, ku artikulohej teza se ndërhyrja e NATO-s kundër Serbisë kishte shërbyer për të larguar vëmendjen nga skandali Lewinsky — tezë e mbështetur nga Tucker Carlson i Fox News; nga Serbia jozyrtarisht, por edhe nga dikush, dikur, në Kosovë. Dodiku vinte bast në fushatën e Trump me kapele MAGA apo RS AGA, ndërsa Vuçiçi ishte i pari nga Ballkani që realizoi telefonatën me presidentin e porsazgjedhur amerikan.
Mirëpo sot pamja është krejt tjetër.
Presidentja Osmani ishte e vetmja grua, madje e veshur me të kuqe, në një forum burrash — në Bordin e Paqes në Davos. Ndërkohë, Ivanka Trump kalonte 72 orë në Shqipëri, një vend me të cilin, siç tregojnë postimet e saj në Instagram, duket se ka rënë në dashuri.
Situata ngjan e përmbysur. Ka disa faktorë që e shpjegojnë këtë pamje të re të raportit të botës shqiptare me presidencën Trump, por mbi të gjitha duhet veçuar Presidentja e Kosovës. Pse?
Sepse Osmani, në këtë performancë — jo thjesht vizitë — duket se ka vepruar thuajse e vetme. Kryeministri Rama i ftuar gjithashtu në mënyrë të personalizuar në Davos, duket qartë se ka kaluar një lloj impasi njëvjeçar me presidencën Trump, pa takimet entuziaste të dikurshme me demokratët amerikanë apo me Blinken.
Kjo lidhet sa me lartësinë ku gjendet edhe falë tij Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare, aq edhe me kanale të rëndësishme ndikimi për rikthimin fuqishëm të tij në marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë. Në këto kanale ai mund të ketë lobuar edhe për Osmanin në Davos, siç u duk nga mesazhi i tij inkurajues për Presidenten, e thirrur me ngut një ditë më parë në takimin e Bordit të Paqes — ku kishte nevojë për sa më shumë shtete nënshkruese.
Por Osmani mbetet, gjithsesi, thuajse e vetme në çarjen e rrethimit disa vjeçar të Kosovës.
Ajo përfaqëson një shtet jo anëtar të organizatave ndërkombëtare, një shtet në izolim pothuajse të plotë për sa i përket takimeve të nivelit të lartë me SHBA-në dhe BE-në. Kosova nuk ka as minerale të rëndësishme- as naftë, as raketa dhe as ushtri të madhe. Pikërisht kjo e bën të veçantë suksesin — dhe “show-n” — e grabitur në Davos: e vetmja zonjë, e veshur me të kuqe, mes 19 burrave — presidentë dhe ministra të jashtëm të vendeve më të fuqishme e të pasura të botës.
Suksesi i Osmanit
Po e nisim nga fundi analizën e suksesit të saj me SHBA-të dhe Presidencën Trump. Firmosja e anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes ishte kurorëzimi i ndërmarrjes së saj diplomatike, vetëm një muaj e gjysmë përpara vendimit të Parlamentit që do t’i japë asaj mandatin e dytë — ose do të ofrojë një emër tjetër. Cilin emër? A ka tjetër?
Ishte një triumf i shqiptarisë përballë botës serbe pamja e Osmanit në afërsi intriguese me Presidentin Trump, ndërkohë që Ivanka shijonte bukuritë e Zvërnecit dhe Vuçiçi, pa gjumë (siç thuhet se fle në një dhomë të vogël 20 km larg Davosit, edhe pse për herë të dymbëdhjetë atje), hante bukë me djathë e patate në dorë.
Triumfi kosovar theksohet edhe nga disa detaje jo të parëndësishme. Dodiku është tërhequr përkohësisht ose jo nga politika e Srpska falë administratës Trump. Vuçiçi, ndërsa Serbia shpenzon mbi 30 milionë dollarë për lobim në SHBA, nuk u ftua në Bordin e Paqes dhe u detyrua të largohej “i sëmurë” nga Mar-a-Lago, ku Trump nuk e priti. Dhimbja serbe për mungesën e ftesës nuk asnjanësohet as nga fakti se as Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nuk u ftuan, ndërsa Bosnja ende po mendon nëse do ta pranonte. Shqipëria e kreu adetin parlamentar me shpejtësi si themeluese dhe ku dihet .. shkon në Shtëpinë e Bardhë.
Dominion me seli edhe në Beograd, e përfshirë eventualisht në manipulimin e zgjedhjeve presidenciale amerikane kundër Trump, ka shtuar hijet mbi marrëdhëniet serbo-amerikane. Në një kontekst të tillë, Kosova afishoi fuqishëm subjektivitetin e saj ndërkombëtar në një aktivitet me dukshmëri absolute. Serbët nuk janë dema politikë, por me siguri ata janë tërbuar nga e kuqja e Kosovës në atë shfaqje të rëndësishme.
Osmani u përzgjodh personalisht në emër të Kosovës — jo thjesht sepse Kushtetuta ia atribuon Presidentes drejtimin e politikës së jashtme. Në Davos ndodhej edhe Kryeministri Kurti, sapo kishte fituar mbi 51% dhe kishte bërë shumë politikë të jashtme, madje edhe problematike për nervat perëndimore që kanë njëmijë kumria tek kaptina, më së shumti kumrien e Ukrainës. Megjithatë, me ngut u thirr pikërisht Osmani.
Ajo ka një prehistori marrëdhëniesh të shkëlqyera me SHBA-në, përfshirë Presidentin Trump: që nga takimet në Paris me rastin e përfundimit të restaurimit të Katedrales Notre-Dame, krah Elon Musk, deri te takimi në OKB në shtator 2025. Jo vetëm me republikanët: takimi me Blinken në Departamentin e Shtetit më 26 korrik 2022 ishte në emër të saj; Kurti ishte pjesë e delegacionit, por jo i ftuar më vete.
Në këtë nivel marrëdhëniesh ka peshuar jo vetëm qëndrueshmëria proamerikane e studentes së Pitsburgut, por edhe pozicionime inteligjente aktuale të saj, sidomos lidhur me rolin e Presidentit Trump në shmangien e përplasjeve në rajon, përfshirë tensionet me Serbinë.
Është e qartë se Osmani ka mbajtur të hapura dyert e SHBA-së për Kosovën në këto vite.
Por pikërisht tani, mbi kokën e saj dhe të Kosovës, qëndrojnë disa pikëpyetje. Mund të shpresohet se zoti Kurti do ta ndryshojë për mirë qasjen e tij ndaj SHBA-ve. Murit me kokë nuk i bihet. Por çfarë do të bëjë Kosova institucionalisht?
A do të vërë bast mbi një emër të ri për President, vetëm sepse opozita e frustruar nuk dëshiron ta mbështesë Osmanin për shkak të llogarive të brendshme? Apo dhe se Kurti mbase nuk dëshiron figura kaq të forta mbi apo afër vetes?
Do të ishte gabim. Do të ishte e dëmshme.
Shtetet e vogla nuk kanë shumë figura që mund të krijojnë shpejt një profil ndërkombëtar të tillë — dhe nuk kanë as kohë. Osmani ka krijuar kapital personal në marrëdhëniet me SHBA-në, të cilin ia ka vënë në dispozicion Kosovës. Ky kapital kërkon kohë, përvojë dhe nuk duhet humbur.
Çfarë pazari do të bëhet për presidencën mes opozitës dhe Kurtit në prill mbetet e paqartë. Por një gjë është e sigurt: nga Davosi, Osmani u pozicionua fort në garën për mandatin e dytë.
Top Channel