Traktati i miqësisë, kundër projekteve destabilizuese!

13/08/2025 17:10

*Nga Fatmir Beqir Limani

Sot ndërsa përkujtojmë Marrëveshjen e Ohrit, që “ shpëtoi vizionin e nje shoqërie multietnike” (thënie e një diplomati amerikan), është koha të reflektojmë për dobinë e marrëveshjeve brenda shoqërisë, shtetit dhe rajonit, në të cilin lindim, zhvillohemi dhe jetojmë. S’duhet të jemi në pritje të shpërthimit të konflikteve të reja, por as edhe t’i nxitim; çdo kohë është e mirë për të reflektuar për marrëveshjet e vjetra dhe për të bërë marrëveshje me ide përparimtare.

Për fat të keq, nuk kemi konsensus të brendshëm, për arritjet e Marrëveshjes së Ohrit:
– dikush thotë se ajo po shkelet, ndonëse është çudi sesi e gjitha që u “arrit” në 24 vjet, të mund të zhbëhet në një vit.
Unë kam vërejtje dhe mëdyshje, por kam dhe sugjerimet në përputhje me rrethanat aktuale. Është krejtësisht e qartë se ka ndjesi të fortë pabarazie në mbarë rajonin.

Duhet investim për të forcuar ndjenjën e përkatësisë në shtetin e përbashkët, posaçërisht te Rinia. Investime kapitale në arsim, mediume, kulturë, sport dhe të ngjashme.

Nëse dy etnitetet kryesore e shohin njera-tjetrën me rivalitetin e partive dhe në luftë të pashpallur për kontroll shoqëror, vende pune, etj, etj, atëherë vështirë se do të kemi përparim real në bashkëjetesën e premtuar.
Duke analizuar dhe krahasuar të gjitha periudhat historike, me këtë rast dhe në këtë tekst, do të ndaj propozimin e përmbysjes së ndjesisë së pabarazisë, por gjithnjë duke kapitalizuar me kohën se çka është arritje e mirë, dhe duke e shtyrë gjithnjë e më përpara.
PROPOZIM!

Përpara se largohet RINIA përtej kufijve të vendit tonë, duhet të dalim si politikan jashtë kufijve.., asesi fizikisht por me platforma konkrete që garantojnë siguri.
Është krejtësisht e qartë se në Maqedoninë e Veriut askush nuk është i tepërt. As shqiptarët, as maqedonasit, as etnitë e tjera.

Kontributi i shqiptarëve si taksapagues, por mbi të gjitha si shtetndërtues është jetik;
– Maqedonia ka Shqipërinë dhe Kosovën si partnerë kryesorë tregëtarë. Në brigjet e Adriatikut ka dhjetra mijë bashkëqytetarë të etnisë maqedonase, krahas bashkëkombasve tanë.
– Shqipëria gjithmonë ka qenë mbështetëse e Maqedonisë që në ditën e parë të pavarësisë nga ish Jugosllavia.
– Kosova po ashtu mbetet mbështetësja aktuale në avancimin e shtetësisë dhe harmonisë ndëretnike.
– Rilindja kombëtare e Shqipërisë ka gjetur mbështetje tek çetat e komitëve shqiptaro-maqedon, si po e pohojnë historianët maqedonas, paksa me vonesë.

Sot dhe dje, kemi bashkëpunuar, bashkëndërtuar dhe bashkëvepruar si popuj.
Sipas meje.., modestisht duhet një Marrëveshje, një Traktat miqësie midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.

Ne kemi Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë dhe tash na nisën problemet me të njëjtët, ndërkohë nuk kemi asnjë Traktat me Shqipërinë ndonëse ajo nuk na ka krijuar kurrë dhe asnjë problem.

Bashkëpunim strategjik, për ruajtjen e;
– integritetit territorial të të dy vendeve,
– partneritet strategjik në rajon,
– respektimin e plotë të drejtave të popujve e komuniteteve në vendet respektive,
– forma bashkëveprimi për infrastrukturën me interes të përbashkët si Korridori i tetë, e Portin e Vlorës nëpërmjet partneriteteve Publiko-Private,
– heqja e barrierave për biznese dhe banka në territorin e dy vendeve, duke nxitur subjektet dypalëshe,
– kampingje në shërbim të mësimit të kulturës dhe qytetërimit reciprok,
– komisione të përbashkëta, për shkrimin e historisë, e cila do t’u pasqyrojë rinisë përpjekjet dhe luftërat e përbashkëta për mbijetesë,
– itinerare turistike të përbashkëta.., etj, etj.., janë vetëm disa nga kahjet, të cilat duhet të prijnë në të ardhmen shoqëritë dhe vendet tona.

Rilaksim i marrëdhënieve me Shqipërinë, do të ndihmonte në ofrimin, njohjen, pranimin dhe relaksim të marrëdhënieve ndëretnike.

Do na hiqte “barrën”nga sherret e përditshme, të cilat lindin nga nxitja për përfitime politike-ditore.
Do të krijonte energji të fuqizuar ndër-shoqërore.
Do të rrënonte kufijtë artificial të ngritura mes nesh.
Do të frymëzonte rininë që të gjejë motive të vijimit të jetës pa barriera kufitare, etnike dhe në bashkëjetesë harmonike.

Miqtë perëndimorë do të rikthenin bindjen, për maturinë tonë, duke na mbështetur në rrugën integruese krahas Shqipërisë.
S’mjaftojnë vetëm këto hapa !

Duhet të negocionim një marrëveshje ose traktat miqësie edhe me Kosovën. Maqedonia e Veriut do të ishte më e fortë, më e sigurt, më e begatë dhe në paqe me fqinjët. Të gjithë nuk do dukeshim kaq të vegjël sa jemi, por më të mëdhenj në pasqyrën e kohës. Dhe vetëm kësisoj Marrëveshja e Ohrit do ngjante shumë më e thjeshtë, për t’u jetësuar me garancitë e fqinjëve.

*Traktatet e miqësisë janë garantuese të qensisë dhe tërësisë territoriale, të secilit popull që jeton në viset e Ballkanit. Dhe historia e përbashkët është shtegu përbashkues mes popujve tonë.

-Fatmir Beqir Limani- Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë

Top Channel