Patrullimi i përbashkët shqiptaro-italiane, Ilir Proda: Siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë

18/07/2025 16:08

Forcim i bashkëpunimit për sigurinë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, zhvilluan një vizitë ku takuan patrullat e përbashkëta shqiptaro-italiane që operojnë në zonat bregdetare të Durrësit.

Patrullimet e përbashkëta, tashmë një traditë partneriteti dhe miqësie, si dhe model bashkëpunimi, kanë si qëllime: rritjen e sigurisë publike në pikat me fluks turistësh;
forcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, në shërbim të qytetarëve;
krijimin e një klime të sigurt për pushuesit italianë që zgjedhin Shqipërinë si destinacion;
lehtësimin e komunikimit me vizitorët dhe turistët e huaj.

Nisja e patrullimeve u përshëndet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe nga Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, të cilët u shoqëruan gjatë vizitës në Durrës nga Eksperti i Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, Salvatore Gava, dhe nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Vilson Bala.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm, Proda, u shpreh: Siguria është pasaporta e imazhit të vendit tonë dhe, në këtë drejtim, prania juaj në terren është një mesazh i qartë: Shqipëria është e sigurt, mikpritëse dhe e hapur.

Patrullimi i përbashkët është një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe një garanci konkrete për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve.”

Ndërkaq, Ambasadori falënderoi Drejtorin dhe punonjësit e Policisë së Shtetit për punën e përbashkët, si dhe u shpreh se pjesëmarrja e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë mirëseardhje është “nder dhe privilegj”.

Në Durrës, pikën simbolike të takimit ndërmjet dy shteteve, Ambasadori u shpreh gjithashtu: Ky bashkëpunim nuk është njëkahësh; gra dhe burra të Policisë shqiptare do të jenë së shpejti të pranishëm në Itali, pasi qëllimi ynë është të intensifikojmë shkëmbimin e aftësive dhe eksperiencave profesionale mes dy policive.”

Në përfundim të vizitës, Drejtori Proda garantoi Ambasadorin se Policia e Shtetit do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, jo vetëm gjatë sezonit turistik, por edhe përballë sfidave të përbashkëta në fushën e rendit dhe sigurisë.

Top Channel