
Në një moment krenarie kombëtare dhe njohjeje ndërkombëtare, Distileria Melesin, një prodhues i ri dhe ambicioz shqiptar i produkteve premium, ka shkruar histori në San Francisco World Spirits Competition (SFWSC) 2025, një nga ngjarjet më prestigjioze dhe konkurruese në botë për pijet alkoolike.
Në vitin e saj të parë të funksionimit dhe në pjesëmarrjen e saj të parë ndonjëherë në këtë konkurs, Distileria Melesin fitoi dy medalje madhore, duke shënuar një hap historik për Shqipërinë në skenën ndërkombëtare të pijeve: Medalje Ari për “The GOAT Gin” dhe medalje Argjendi për “VJOSA Wild River Gin”.
Ky sukses e bën Melesin, distilerinë e parë shqiptare që fiton ndonjëherë një medalje në këtë garë prestigjioze në San Francisko, duke vendosur një standard të ri për cilësinë dhe inovacionin në industrinë e pijeve artizanale në rajon.
“Kjo nuk është vetëm një fitore për distilerinë tonë është një fitore për Shqipërinë. Të njihesh mes më të mirëve në botë për më pak se një vit prodhim tregon se mjeshtëria shqiptare, natyra dhe ambicia e guximshme mund të zënë një vend të respektuar në hartën globale”, tha një përfaqësues i Melesin.
San Francisco World Spirits Competition, e themeluar në vitin 2000, është e njohur për procesin rigoroz të degustimeve të verbëra dhe për jurinë e saj të përbërë nga ekspertë të industrisë. Me pjesëmarrje ne disa mijëra produkte nga më shumë se 40 vende, marrja e një medaljeje, sidomos e një medaljeje të artë, konsiderohet një shenjë e përsosmërisë në industrinë globale të pijeve.
E vendosur në qytetin piktoresk malor të Leskovikut, Distileria Melesin është e rrënjosur në trashëgiminë dhe natyrën vendase, duke marrë frymëzim nga peizazhet dhe trashëgimia kulturore e pasur shqiptare. Gin-et fituese, The GOAT Gin dhe VJOSA Wild River Gin, janë dëshmi e kësaj, të punuara me karakter, me bimë të egra e aromatike vendase si dëllinja e çaji i malit veç të tjerash.
Distileria ka filluar tashmë të tërheqë vëmendjen për markat e saj të guximshme, angazhimin ndaj qëndrueshmërisë dhe vizionin e qartë për të ngritur pijet shqiptare në standarde ndërkombëtare duke u përzgjedhur edhe nga prestigjozja TIME Magazine si një nga destinacionet më të jashtëzakonshme për t’u vizituar ne 2024.
Ky moment pritet të hapë dyer për mundësi eksporti, interes turistik dhe rritje të dukshmërisë globale për prodhuesit shqiptare.
Top Channel