Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, përfundoi dy mandatet e saj, duke lënë pas një trashëgimi që përfaqëson frymën e bashkëpunimit dhe përpjekjet për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.
Në vitin 2019, Bregu nisi këtë udhëtim me qëllimin që e ka treguar: të afrojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t’i lidhë ato më ngushtë me Europën.
“Përpjekja për arritje konkrete dhe mbajtja e shpresës së integrimit në BE, edhe kur fjala ‘zgjerim’ ishte në hije, ishte ndër sfidat më të mëdha”, tha Bregu.
Bregu renditi disa nga arritjet gjatë mandatit të saj:
•Eliminimi i tarifave roaming: Lëvizje që reduktoi deri në 97% tarifat telefonike me BE-në.
•Korridoret e gjelbra gjatë pandemisë: Një shpëtim për tregtinë rajonale dhe zinxhirët e furnizimit.
•Njohja e diplomave dhe profesioneve: Lehtësi për studentët dhe profesionistët e Ballkanit Perëndimor.
•Plani i Tregut të Përbashkët Rajonal: Një hap drejt Tregut Unik të BE-së.
•Agjenda e parë e Gjelbër për rajonin: Një angazhim konkret për mbrojtjen e mjedisit.
•Platforma për rininë dhe sipërmarrjen e grave: Përfshirja e brezave të rinj dhe grupeve të margjinalizuara.
Pas gjashtë viteve në detyrë, Majlinda Bregu e mbyll me një mesazh:
“Ky rajon nuk ka qenë asnjëherë më i vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit sesa sot. Në një botë ku pasiguria është norma, bashkëpunimi mbetet thelbësor.”
Nga 1 janari 2025, detyrën do ta marrë Amer Kapetanoviç, një diplomat me përvojë 25-vjeçare nga Bosnja dhe Hercegovina. Pas gjashtë viteve si Drejtor Politik i RCC, Kapetanoviç pritet të vazhdojë vizionin e bashkëpunimit rajonal.
Top Channel