Nga Edison Ypi
Ëndërra sheh. Era e blirit të deh. Natën në pyll ndonjëherë ke fjetur. Dëshpërimin që shkakton muzgu e ke mik të pandarë. Në detin e një pike lot, disa herë je mbytur.
Ke lexuar të paktën nja dy a tri tragjedi të Shekspirit, disa romane nga letërsia klasike, disa novela nga Cvajgu, Çehovi, etj.
Di përmendësh ndonjë poezi nga Shekspiri, Gëte, Lasgushi, Lermontovi.
E ke të qartë se nuk lypset talent vetëm për të shkruar por edhe për të lexuar.
Ke vënë re se ndonjëherë një fjali e vetme të mbreson më fort se një roman i tërë.
Me atë që tha se: “Gjithmonë ka një mënyrë për t’i hedhur hi syve shtetit që dyshon”, je plotësisht dakord.
Që ferri është plot me shkrimtarë dhe poetë mediokër që vjershëzat e veta dhe të njëritjetrit i mbajnë për kryevepra, nuk ke kundërshtim.
E di se themeluesi i Endokrinologjisë, jo mjek por shkrimtar, është Balzaku.
Që Tolstoi nuk e honepste dot Shekspirin, dhe se mospëlqime të tilla mes të mëdhenjve të Letërsisë ka pafund, e ke mëse të qartë.
E di se libër i vërtetë nuk është ai libër që lexon, por ai libër që të lexon.
Pse shkrimtarin e godasin me shpifje dhe intriga, ndërsa inxhinierin kurrë me hekura dhe çengela, e di prej kohësh.
Ta kallin krrupën morrat e neveritshëm që thonë “si shkrimtar është “çka”, por si njeri “hiç””.
Nga “mbledhja e kolektivit” kishe ndoht.
Aksionet e rinisë të bënin për të vjellë.
Kur komunisti Pikaso po bënte Guernikën, jashtë kërcisnin bombat. Papritmas hyri në derë një partizan i përgjakur që e ndiqnin për ta vrarë. J’u lut partizani Pikasos ta fshihte. Pikaso i tha;
-Mos më pengo Po bëj një Kryevepër që tash e tutje do shpëtojë miliona si ty.
Dhe e shtyu me shkelm në rrugë, e i mbylli derën nga pas.
Ta kanë thënë, ose e ke lexuar, se Romen Rolan e vizitoi Bashkimin Sovjetik në kulmin e krimit stalinist. Nuk habitesh pse kur u kthye nga ajo vizitë në vendin e Gulagëve, nuk tha asnjë fjale për ato që pa.
E di prej kohësh se njëri ndër miqtë e Shën Terezës ishte Moris Dyvalie, diktatori i Haitit, nga diktatorët më gjakatarë që ka njohur bota.
Nuk e vë aspak në dyshim se Ismail Kadaresë zemra nuk i punon me naftë dhe truri me bateri, lëkurën nuk e ka prej amianti, kockat nuk i ka prej duralumini.
Mrekullohesh kur mendon se sa iluminuese është dhe çfarë rrënqethje i shkakton cilitdo njeriu të ndjeshëm në botë “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”.
Ke vënë re qysh herët se në librat e Kadaresë diktatori është personazhi më skematik, më i shpëlarë, më i rrafshët, partia është inekzistente ose qesharake, komunistët janë të gjithë primitivë, trashanikë, të ngathët nga mendja dhe të penduar ose të dëshpëruar.
Je mrekulluar kur ke vënë re sa me pasion i përshkruan, dhe sa të larmishëm, sa kompleksë, i paraqet Kadare përfaqësuesit e “Klasës së Përmbysur”. Plakën Nurihan, për shembull, që është një monument njerëzor i skalitur në diamant nga dalta gjeniale e Kadaresë.
Ke qeshur me episodet djegëse, thumbat, kunjat, që në librat e Kadaresë nuk janë katër a pesë por qindra.
Të merret fryma nga krenaria kur mendon se po nuk i vodhe zgjedhjet dhe po nuk bëre rrëmuja, Perëndimi të jep çfarë të duash dhe sa të duash, por shkrimtarë si Kadare nuk të jep asnjë. Jo sepse s’do. Sepse as për veten e vet s’ka. Atë Vargun e Kadaresë “Ju që gjer në hënë keni vajtur, si s’depërtoni dot gjer në gjoksin tim” ja ke përsëritur qindra herë vetes duke ikur rrugës.
Je i bindur se Ismail Kadare është shkrimtari më i madh i botës.
Nëse sa më sipër të duken rrena, s’ka problem, vazhdo vegjeto, ha, pi, shumzohu, fli, gërrhit, dërrdëllit, por mos guxo të thuash se e di çfarë është Letërsia.
Ama po qe se për sa më sipër nuk ke kundërshtim;
Një Xhehenet plot mrekullira ka hapur dyert e të pret. Kodin Kadare e ke.
Top Channel