Nga Aladin Stafa:

Pas një periudhe thuajse gjysëm shekullore nën regjimin komunist, rënia e Murit të Berlinit në fund të viteve ‘80 solli jo vetëm një ndryshim të sistemit politik në vendet e Lindjes por dhe mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj. Shqiptarëve në vecanti.

Të dërrmuar dhe të privuar prej burgut artificial në jetën që bënin por dhe atij që sistemi krijoi për të gjithë ata që mendonin ndryshe, idesë se tej kufijve të shtetit amë do të gjenin parajsën i kishte ardhur koha.

E teksa qindra, mijra shqiptarë rrekeshin të gjenin rrugën më të parë të mundshme për t’i ikur vendit, realiteti që panë me sytë e tyre në anën tjetër të gardhit nuk ishte aq larg vuajtjeve që kishin lënë pas. Dy destinacionet më të preferuara e logjikisht dhe më të afërta ishin Greqia në jug dhe fqinji tjetër tej Adriatikut, Italia. Dy vende që atëkohë mbanin disa prej komuniteteve më të vjetra të tokës arbërore.

Arvanitasit dhe arbëreshët.

Ashtu kureshtarë, me ide mbrujtur me bolshevizmin kallp dhe ideale që sot tingëllojnë qesharake, shqiptarët zbritën në këto dy vende me histori klasike qytetërimi dhe shoqëri të emancipuara ku fjala ‘liri’ peshonte rëndë.

E ndërsa vitet iknin ata, emigrantët e parë që mbërritën mes maleve dhe ata që u hodhën në det, mes mundimesh të politikave jo pak raciste arritën më në fund të integroheshin bindshëm në shoqëritë e huaja të perëndimit.

Edhe pse jetuan mbi shpinë përbuzjen e të huajit, etninë e të ndryshmit dhe burokracitë e sistemit, ata ja dolën të bëhen një faktor jo i vogël me talentin, këmbënguljen dhe punën e tyre. Ne e dimë se ishte kjo diasporë që shërbeu dhe si katalizatori më i madh i ekonomisë së brendshme në Shqipëri e ku me ndihmat financiare që ata dërgonin, thuajse gjatë gjithë viteve të këtij tranzicioni mbajtën gjallë frymën e një populli të tërë që jetonte hapat e parë të ndërtimit të një strukture të re ekonomike.

Fillimet e një kapitalizmi diletant.

Dhe sot e themi me plot gojë se pas tre dekadave padyshim arritjet e tyre janë të kënaqshme. Kudo e në cdo vend. Ata jo vetëm që janë pjesë integrale e sistemit të shteteve ku gjenden por kanë tanimë mundësinë të ngrenë zërin për të drejtat themelore që cdo qytetar i atij vendi ka. Njësh me ta. Të barabartë mes të barabartëve.

Prezenca e tyre ndihet sot rrënjësisht jo vetëm në biznese por edhe në art. Në sport dhe politikë, duke u kthyer kështu në ambasadorët më të dobishëm të shqiptarisë mbarë. Duke e cuar lart imazhin Shqipërisë, duke i zgjuar atyre ëndrrën europiane e duke i dhënë shpresë e besim se vetëm me punë dhe këmbëngulje cdo e mirë vjen më pas. Me thirrjen e lakmuar të brezit të shkuar per nje Shqiperi si gjithe Europa.

Ndaj kjo është një arsye pse vitet e fundit është parë një nxitje e interesimit të tyre për t’u gjendur në atdhe. Për të reflektuar për të. Për të shpalosur ëndrrat mbi kontributet dhe mundësitë që ta shohim atë vend të bëhet.

Po si mund ta tërheqim atë? Çfarë duhet t’i ofrojmë atyre? Realisht çfarë mund të kërkojnë ata prej vendlindjes së tyre? Pikërisht atë vendlindje që lanë pas 30 vite më parë?!

Është e vërtetë që në arenën europiane dhe më gjerë, Shqipëria nëpërmjet edhe politikave të saj të jashtme po lakmohet shumë si një perlë e pazbuluar me destinacione atraktive jo vetëm për të huajt por edhe për shqiptarët e mërguar.

Turizmi në veçanti, ky sektor që besoj se është i vetmi sot për sot që mund të elaborohet në planin ekonomik ka bërë që interesimi të shtohet dhe shqiptarët ta shohin vendin e tyre si një bazë -atraksioni ideal për t’u investuar.

Po çfarë vjen më pas?

Duke u nisur nga ideja se nëpërmjet politikave qeverisëse mund të arrish jo vetëm të fortifikosh sistemin por edhe të bëhesh pjesë e tij, bashkëpunimi me diasporën duhet të shihet si një projekt afatgjatë i ekzekutivit aktual ku parësore do duhet të ishte mundësia për t’i dhënë atyre një zë nëpërmjet votës, një akt ky që do t’i afronte edhe më shumë me vendin e tyre.

Këto politika ekspansioniste të cilat për një vend të vogël si Shqipëria mund të shihen hera -herës si tabu e të çmendura, mbeten mënyra më e mirë për një diasporë të madhe e të gjerë si ajo e jona e cila ka gjithë të drejtën e botës të na bëjë të besojmë se bashkëpunimi dypalësh mes qeverisë dhe saj, është i vetmi çelës i suksesit për Shqipërinë tonë.

Natyrisht fryma e tyre europiane, kapitali dhe dashuria për atdheun janë motivimi më i madh që qeveria duhet të ketë për t’i hapur dyert e mundësive kësaj bashkësie që e ka treguar me bindje dhe integrim se kujt kulture i përket. As më shumë e as më pak asaj europiane.

Ndaj dhe kjo është një arsye pse kthimi pas i shumë prej tyre nuk mund të shihet asesi si një dështim. Në histori ne e dimë se më së shumti diasporat kanë qenë ato që lozin rolin parësor në prosperitetin e një vendi. Dhe kthimi i tyre në kohë duhet të shihet gjithmonë si një fillim i ri.

Por mbi të gjitha edhe sepse vetëm ideja për t’u kthyer te ajo se çfarë ke lënë pas mbetet gjithmonë diçka më emocionuese se ajo që e di se çfarë të pret aty ku ti je.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA