Policia e Shkodrës, ka zbardhur plagosjen e ndodhur më 8 shkurt në lagjen “Guerrile” të Shkodrës ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur 60-vjeçari Selami Brahimi.
Dy ditë më vonë falë bashkëpunimit me Interpol, është bërë i mundur arrestimi i autorit 68-vjeçar, Sulejman Kapllani i cili ishte arritur të arratisej drejt Gjermanisë.
Arrestimi i tij u bë i mundur në qytetin e Berlinit falë bashkëpunimit të policisë shqiptare me homologët gjermanë.
68-vjeçari dyshohet të ketë qenë autori kryesor atentatit ku u qëllua me armë zjarri drejt automjetit tip “Citroen” ku ishte Selami Brahimi i cili fatmirësisht arriti të shpëtonte duke u plagosur lehtë.
Ndaj shtetasit Sulejman Kapllani, Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Policia ka sekuestruar edhe armen e zjarrit “AK-47” që u përdor për atentatin si dhe automjeti i përdorur nga autori. Tani do të nisin procedurat per esktradimin e autorit të dyshuar.
“Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin S. K. Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit. Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër. Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër”-njofton policia.
Po ashtu, është sekuestruar arma me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.
Selami Brahimi arriti t’i shpëtonte atentatit në Shkodër natën e 8 shkurtit. Në dëshminë e dhënë për policinë ai tha se nuk ka marrë kërcënim nga asnjë person dhe se nuk ka arritur ta shikojë autorin apo autorët.
“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, tha Brahimi gjatë dëshmisë.
Në drejtim të 60 vjeçarit është qëlluar me kallashnikov 10 herë, por vetëm një plumb e ka prekur në pjesën e fytyrës.
Top Channel