Ndalimi i Fredi Belerit/ Reagimet e Ramës, Berishës dhe Athinës zyrtare

12/05/2023 15:06

Kryesocialisti Edi Rama pas deklarimeve të Fredi Belerit për helenizmin e Himarës është shprehur i ashpër dhe fshikullues ndaj tij ditët e fundit gjatë takimeve elektorale.

Ndalimin e Belerit nën dyshimin e shit-blerjes së votave, Edi Rama nuk e ka përdorur dhe nuk e ka komentuar si një ngjarje për të fërkuar duart. Ka kërkuar që fjalën e fundit ta thotë drejtësia duke theksuar nevojën e mos-politizimit të kësaj ngjarje.

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën Fredi Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar”, shkruan Rama.

Edi Rama kërkon të lihet e qetë drejtësia e mos të ndikohet për këtë rast.

“Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shprehet kryeministri.

Reagoi edhe Sali Berisha i cili bekoi dhe mbështeti kandidimin e Fredi Belerit si kandidat në Himarë.

“Është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet mos gaboj, Ermal Muça. Ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur”.

Sakaq, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule reagoi nga Himara, duke e politizuar rastin pa folur ende drejtësia.

Është një fenomen që ka lidhje me regjimet totalitar. Thirrja jonë është lirimi i zotit Beleri dhe garantimi i procesit zgjedhor dhe heqja dorë njëherë e mirë nga intimidimi i qytetarëve dhe përpjekja për të tjetërsuar vullnetin e sovranit”.

I menjëhershëm ishte reagimi Athinës përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme ku thuhet se “Pas lajmit për arrestimit nga autoritetet shqiptare të Dionisis Fredi Beleris, kandidat për kryetar në Bashkinë Himarë, ambasadorja e Greqisë në Tiranë Konstantina Kamitsi pas udhëzimeve të ministrit të jashtëm Nikos Dendias, po zhvillon një vizitë sot më 12 Maj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Vetë shefi diplomacisë greke Nicos Dendias bëri këtë koment.

“Doja të thosha se nëse nuk ka prova të pa kontestueshme, arrestimi i tij dy ditë para zgjedhjeve përbën një skandal të vërtetë.Njoftova për këtë edhe zotin Borrel si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, që ka edhe kryesimin e radhës së Bashkimit Europian. Qeveria greke do të ndjekë çështjen nga shumë afër”.

Reagimet e forta të Athinës për ndalimin e Fredi Belerit përfshinë edhe kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

“U bëj thirrje autoriteteve shqiptare të lirojnë menjëherë kandidatin në fjalë për t’iu rikthyer procesit zgjedhor. Unë dua që këtu nga Lesbos t’i dërgoj një mesazh mikes sonë , Shqipërisë. Tolerancë për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke Greqia nuk do të pranojë. Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkiake dhe të lirojë menjëherë ata që ka burgosur, në mënyrë që të marrin pjesë në procesin zgjedhor”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA