A përjashtohesh sot nga PD, nëse kritikon Bashën? Ja çfarë thotë Arben Ristani

17/07/2019 16:57

I pyetur drejtpërdrejtë nga Denis Dyrnjaja nëse prodhon apo jo frymë Lulzim Basha, Ristani zgjodhi të shmanget dhe përgjegjësinë e shpërndau mes lidershipit dhe stafit të tij.

Ndërsa për të justifikuar qëndrimin e tij kritik ndaj Kryedemokratit, Ristani ju referua në Top Talk disa sondazhe të publikuara më herët të cilat tregonin se PD është në rritje, por jo lidershipi i saj.

“Sondazhet kanë treguar se ka një rritje të PD-së por nuk ka një rritje te lidershipit. Mbi këtë duhet analizuar dhe duhen marrë masa për të rikuperuar, dhe këtu ngul këmbë që lidershipi nuk duhet të jetë vetëm, duhet të jetë stafi i tërë, duhet të jenë njerëzit që e shoqërojnë të cilët po ashtu si kryetari duhet të reflektojnë dashurinë tek njerëzit”, thotë Ristani.

Por a mund të përjashtohesh sot ne PD nëse flet ndryshe dhe mendon ndryshe nga vija e partisë? T’i thuash kryetarit e ke gabim, mund të përjashtohesh?

“Jemi duke u përpjekur brenda PD-së që të vendosim sisteme të atilla që të mos varen nga vullnetet e njëshit por nga fryma kolegjiale. Ka patur disa takime me partnerët tanë, sidomos Anglezë, për të vendosur në Partinë Demokratike sisteme të zgjedhjes siç i përdorin konservatorët Anglezë. Unë shpresoj shumë që këto të zbatohen dhe të mos ngelet zgjedhja në vullnetin e njëshit”, u përgjigj ai.

Ristani ka edhe një kritikë për mënyrën se si behet zgjedhja e njerëzve që përfaqësojnë PD-në. Ai thotë se një nga të metat që ka patur organizimi i kohëve të fundit është pikërisht zgjedhja e stafeve jashtë parimeve kryesore që duhet të funksionojë një organizatë politike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA