Kandidati i parë për kryeprokuror. Olsian Çela, njeriu që hetoi grabitjen e parë në Rinas u regjistrua në KLP

19/04/2019 19:53

Nuk janë më fjalë korridoresh. Ajo që përflitej për betejën e nisur nga Arta Marku ndaj prokurorit Olsian Çela del në sipërfaqe. Gjithçka ka ndodhur që prej vjeshtës 2018, siç u parashikua në fakt ishte një përplasje pretendentësh drejt organit qendror të akuzës.

I pari që dorëzoi kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm është prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, njëri nga prokurorët që u “internua” në Berat nga zonja Marku gjatë vjeshtës së vitit 2018 dhe që për kthimin e tij pranë prokurorisë, ku ka bërë karrierë që prej vitit 2004, lufta u zhvillua hapur me vota në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Ambicia e prokurorit të Krimeve të Rënda, Olsian Çela, gjithashtu ish-kryeprokuror i Krimeve të Rënda, si edhe ekspert i reformës në drejtësi, u kuptua nga sulmet e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, si një nga rivalët e saj e gjithashtu një nga pretendentët kryesorë për stafetën e Prokurorisë së Përgjithshme, që kushdo që do të jetë i pari Prokuror i Përgjithshëm pas ndryshimeve kushtetuese me mandat 7-vjeçar pas ndryshimeve kushtetuese.

Olsian Çela, me një kurrikulum të pasur si një nga prokurorët që hetoi vrasjen e Mirit të Xhikes, laboratorin e Xibrakës apo edhe grabitjen e Rinasit doli hapur në garë duke dorëzuar CV 10 ditë larg mbylljes së afatit të caktuar për konkurrim.

Me çfarë ka ndodhur gjatë këtyre muajve pritet që Arta Marku, Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme që prej dimrit të vitit 2017, të dorëzojë gjithashtu kandidaturën, duke dalë hapur me ambicien e saj për ta mbajtur karrigen e numrit një të akuzës. Të tjerët me shumë gjasë do të jenë surpriza e një gare që kësaj radhe do të vendosë në testim edhe vetë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, organin që me vota do të rendisë më të mirët që sidoqoftë ngjan ta kenë nisur fushatën shumë më herët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA