Vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali janë qëlluar me breshëri automatiku në hyrje të banesës nga dy persona të paidentifikuar në lagjen Kiras të Shkodrës.
Sipas të dhënave paraprake si dhe dëshmive të banorëve të zonës, dyshohet se dy autorët kanë qenë duke pritur në afërsi të shtëpisë së Ibrahim Bilalit, në oborrin e së cilës ndodhi ngjarja. Astrit Bilali, viktima tjetër, pak minuta para vrasjes, siç rrëfejnë banorët, ndodhej në një lokal afër vendit të ngjarjes, i qetë dhe pa shfaqur asnjë shqetësim.
Në momentin që është takuar me të vëllanë në hyrje të portës së shtëpisë, dy vëllezërit janë qëlluar me breshëri automatiku duke mbetur të vdekur në vend.
Pak më në thellësi të zonës së Kirasit dhe Livadeve është gjendur një automjet tip Benz me të cilin dyshohet se udhëtonin autorët e krimit. Ende nuk dihen shkaqet e vrasjes së dy vëllezërve Bilali, të cilët rezultojnë të mos kenë pasur probleme me drejtësinë dhe asnjë çështje penale ndaj tyre.
Më datë 1 shtator të një viti më parë, djali i Astrit Bilalit, Asmer Bilali, anëtar i dyshuar i bandës “Bajri”, u dyshua të jetë shënjestra e një atentati ku mbeti i vrarë Arjan Ferracaku, ngjarje kjo ende pa autor.
Viktima Astrit Bilali ka në pronësi një kompleks hipizmi në zonën e Kirasit, ndërsa viktima tjetër, Ibrahim Bilali ka qenë një nga liderët e e lëvizjes së 2 Prillit në Shkodër.
Bilanci i 7 vrasjeve në 10 muajt e fundit dhe ende asnjë ngjarje e zbardhur apo e dokumentuar është një tregues se grupet e strukturuara kriminale e kanë fituar betejën me shtetin. Organet e rendit dhe prokuroria në Shkodër janë të paafta të garantojnë rendin dhe qetësinë në qytet, duke lejuar një situatë të tillë kaotike mes bandave të cilat krijojnë terror dhe frikë tek banorët.
Top Channel