Shoqata “Devolli” mbjell pemë në Tiranë

29/03/2019 14:38

Për të tretin vit radhazi, shoqata “Devolli” iu bashkua nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë dhe për të shtuar gjelbërimin në Parkun e Liqenit, në atë që njihet si “Pylli i Dritëroit”. Anëtarë të kësaj shoqate, të cilët jetojnë dhe punojnë në kryeqytet, së bashku me familjet e tyre, mbollën disa fidanë në shenjë mirënjohje për qytetin që u hapi dyert dhe zemrën.

“Jam shumë i lumtur që shoqata “Devolli”, por edhe një pafundësi organizatash, familjesh janë bërë pjesë e kësaj fushate. Jemi thuajse afër rekordit tonë të pemëve. Sot jemi duke punuar në disa zona të Tiranës, edhe në Farkë, edhe në Allgjatë, edhe në Vaqarr, edhe në Kashar dhe jam i bindur që në fund të këtij sezoni, realisht do të kemi lënë një pajë për gjeneratën tjetër. Rrënjët që hodhëm sot janë simbolikë e një Tirane që ka hapur dyert, zemrën, mendjen, për të gjitha grupimet që vijnë nga zona e treva të ndryshme të Shqipërisë, dhe që sot e ndiejnë veten tiranas, por pa harruar nga kanë ardhur”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana është një qytet i destinuar të rritet dhe këtë e tregon edhe numri i lartë i atyre që zgjedhin ta ndërtojnë jetën e tyre këtu. “Sot, të dhurosh jetë, të japësh oksigjen, të shtosh gjelbërimin është një ndër gjërat më të mira që mund të bëjmë. Tirana, duam apo s’duam ne, do të vazhdojë të shtohet me familje që e shohin të ardhmen e tyre në metropolin e shqiptarëve, ndaj nuk ka asnjë iluzion që Tirana do të vazhdojë të rritet. Do ketë edhe apartamente e ndërtesa ku njerëzit do banojnë. Ajo që bëjmë ndryshe kësaj here është se kemi një balancim: patjetër Tirana do zmadhohet, por duhet të ketë gjelbërim, mbjellje pemësh dhe duhet balancuar me atë që e quajmë një zhvillim i qëndrueshëm”, tha ai.

Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash për ruajtjen e mjedisit, sikurse është shtimi i gjelbërimit, korsitë e biçikletave dhe transformimi i transportit publik. “Ndaj, fokusi ka qenë të mbjellim më shumë pemë, të ecim më shumë, të përdorim më shumë biçikletat, më shumë transport publik. Edhe transporti i automatizuar të jetë kryesisht ai me bateri, që ka nisur me taksitë dhe tani fillojmë me autobusët. Tirana do rritet, por rritja duhet të jetë e qëndrueshme dhe e shoqëruar me gjelbërim, me oksigjenim, them se jemi në rrugë të mbarë”, nënvizoi Veliaj.

Në emër të shoqatës “Devolli”, Guri Seferi vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për këtë nismë, ndërsa premtoi se ky kontribut për qytetin e Tiranës do të vijojë edhe më tej. “Jemi këtu për të sjellë zërin e të gjithë devollinjve që banojnë në Tiranë, që nuk janë pak, por rreth 29 mijë. Jemi pjesë e aksionit të nismës së Veliajt, ndaj dua ta falenderoj në emër të devollinjve që na ka dhuruar një pjesë të këtij pylli me emrin e madh të Dritëro Agollit, i cili është simbol i Devollit, por edhe simbol i punës”, u shpreh Seferi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA