Parlamenti miratoi unanimisht protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, por vota konsensuale nuk ishte tregues qetësie. Situata nisi të acarohej kur kryedemokrati Lulzim Basha fokusoi fjalimin e tij te protesta e së shtunës.
“Ky sistem duhet përmbysur, merrni në dorë fatin tuaj”, tha Basha.
Edi Rama nuk ndihmoi në shtensionimin e situatës kur e cilësoi rivalin e tij si një fëmijë, ndërsa i kërkoi ndjesë kryeparlamentarit të Shkupit, Talat Xhaferri, që ishte i ftuar në seancë: “Ndjesë, por fëmiu nuk i mendon ato që thotë dhe as nuk di çfarë thotë”.
Pas këtyre fjalëve, nënkryetari demokrat i Kuvendit, Edi Paloka iu drejtua kryeministrit ndërsa mbante në duar një shiringë me bojë që e hodhi në drejtim të Ramës.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i kërkoi që të dilte jashtë, por Paloka refuzoi të largohej dhe Byroja e dënoi atë me 10 ditë përjashtim nga punimet e Kuvendit. Ndërsa Partia Demokratike shpjegoi veprimin e nënkryetarit të saj: “Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuatja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinioni publik”.
Selia Blu i referohet seancës së kaluar ku Rama imitonte TH-në në të folur të Edi Palokës.
Ndërsa vetë Paloka tha se motivi nuk ishte personal: “Ishte fillimi i 16 shkurtit”.
Për incidentin reagoi edhe Garda e Republikës: “Në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”.
Në përfundim të seancës, PS njoftoi se do kërkojë shkarkimin e Palokës nga detyra e n/kryetarit të Kuvendit. Ndërsa Rama reagoi me një postim në Facebook ku edhe publikoi videon e incidentit.
“Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut”, shkruante Albert Ainshtajni, përpara sesa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës”, shkroi Rama në rrjetin social.
Top Channel