Përdhunimi i një të miture në Kavajë nga shokët e saj të shkollës u kthye në qendër të debatit parlamentar, kur Lulzim Basha e citoi si një tjetër tregues të krizës që, sipas tij, ka kapur vendin.
“Kriza ka arritur dimensione tragjike. Çdo ditë ka lajme tragjike nga vendi. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër politike përveçse një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme”, tha Basha.
Në mungesë të Edi Ramës, i cili ende nuk ishte kthyer nga Riadi, replika i erdhi nga Sandër Lleshaj, i cili i foli Bashës si pasardhës në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke i cituar kryedemokratit bilancin e punës kur drejtonte të njëjtin dikaster: “Keni 4 të vrarë në CV-në tuaj, 100 të plagosur dhe 4000 të tjerë në tentativë për të vrarë”.
“Ka një shprehje të njohur: “Kur gishti tregon Hënën, budallai tregon gishtin”. Ty të duhet pak kohë që t’i mësosh përmendësh tezat bajate të propagandës së Edi Ramës, të cilin duhet ta pyesësh pse i promovoi ata që u akuzuan se shtinë mbi ata që i sollët për t’i vrarë”, u përgjigj Basha.
Me ministrin e Brendshëm debatoi ashpër edhe Sali Berisha, i cili ishte i pari që denoncoi ngjarjen në Kavajë, për të cilën thotë se Policia dhe mazhoranca donin ta mbanin të fshehtë: “Sot keni para jush mazhorancën e përdhunuesve. Policia u njoftua, por ishte në anën e përdhunuesve”.
“Policia e Shtetit i ka arrestuar përdhunuesit përpara se lajmi është bërë publik. U arrestuan para se të bëni atë palo status”, u përgjigj Lleshaj.
LSI ishte më shumë e fokusuar te hetimet mbi disa drejtues të Ministrisë së Drejtësisë, kur drejtohej nga kjo forcë politike. Monika Kryemadhi përdori gjuhën e koduar për t’i dërguar mesazh ministres aktuale të këtij dikasteri, Etilda Gjonaj, të cilën e prezantoi si fis me Ilir Metën: “Është kushërira e një lidhjeje familjare të Ilir Metës. Mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj. Le t’i tregojë shqiptarëve përse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. T’i tregojë lidhjet e burrit të saj me pikat e basteve”.
Top Channel