Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) publikoi vendimin për shkarkimin e ish-gjyqtarit të lartë Artan Zeneli.
KPA shpjegon se vendimi është marrë njëzëri dhe unanim duke lënë në fuqi verdiktin e mëparshëm të komisionerëve të Vetting-ut që nuk e konfirmoi në detyrë Artan Zenelin.
Ky vendim është përfundimtar dhe i menjëhershëm, tregohet më tej, që do të thotë se tashmë në Shqipëri Artan Zenelit i mbyllen rrugët për t’u rikthyer në drejtësi. Kujtojmë se Zeneli u shkarkua pasi nuk kishte deklaruar heqjen e vizës nga ambasada e SHBA, nuk kishte deklaruar huanë e marrë nga persona të ndryshëm dhe problemet me blerjet e pasurive të paluajtshme.
Trupi gjykues përbëhej nga 5 gjyqtarët e Vetting-ut: Rezarta Schues, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Natasha Mulaj, të cilët u treguan të patundur në gjetjet e mëparshme të KPK-së që evidentoi probleme me pasuritë e ish-gjyqtarit të lartë, si edhe mospërshtatshmëri meqenëse nuk kishte deklaruar në formular se atij i ishte revokuar viza nga Ambasada Amerikane.
KPK deri më tani ka lënë në fuqi 9 vendime shkarkimi të deklaruara gjatë vitit 2018 nga Shkalla e Parë e Vetting-ut.
Këtë të enjte del para KPA-së edhe ish-gjyqtari tjetër i lartë Shkëlzen Selimi, të cilit gjithashtu iu zbuluan kontakte me anëtarët e grupeve kriminale. Ai u shkarkua për këtë komponent pasi ndërkombëtarët zbuluan se ish-gjyqtari i lartë kishte lidhje të drejtpërdrejtë me shtetasin A.I., një i dënuar me trafik droge, për të cilin gjyqtari kishte ndërhyrë për të ndaluar ekstradimin e tij.
Më tej, KPK zbuloi edhe se gjyqtari nuk kishte deklaruar se kishte udhëtuar me automjetin e një tjetër personi me probleme me ligjin. Në trupë janë Sokol Çomo, Ina Rama, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz.
Top Channel