Lulzim Basha ishte në Kamëz një tjetër bastion të djathtë, në kuadër të turit që i paraprin protestës së 16 shkurtit. Kryedemokrati akuzoi Kryeministrin se ka mashtruar banorët për dëmshpërblimin nga përmbytjet.
“Erdhi dhe lëshoi dy apo tre batura e barcaleta, u rrahu krahun dy tre punëtorëve të bashkisë që po punonin, dhe i tha kryetarit, do të kesh fondin 700 mijë Euro që të përballosh emergjencën. Natyrisht ishte një tjetër mashtrim. Asnjë kokërr leku nuk iu dha Bashkisë së Kamzës. Asnjë cent dëmshpërblim 700 familjeve të cilët u përmbytën për shkak jo vetëm të motit por pakujdesisë dhe neglizhencës së Edi Ramës”, tha Basha.
Lideri i opozitës i bëri thirrje banorëve të Kamzës dhe Vailiasit që në 16 shkurt të marrin në dorë fatet e tyre.
“Shqipëria sot nuk qeveriset por sundohet nga një bandë. Ne politikisht kemi shteruar çdo mjet për ta zgjidhur këtë. Kemi ardhur t’ju kërkojmë ndihmë, sepse zgjidhja tani nuk është më në duart e një partie politike apo të një aleance opozitare, zgjidhja është në duart e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ai.
Basha ishte dhe në Bathore nga ku denoncoi mungesën e investimeve në shkollën e kësaj zone si dhe vizitoi disa kryefamiljarë banesa e te cileve është shkrumbuar nga zjarri dhe nuk kanë asnjë ndihmë nga shteti.
Top Channel