Në fjalën e lamtumirës nga detyra e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati tha se është përpjekur që t’i qëndrojë besnik tre vlerave: integritetit, besimit dhe respektit.

Me bindjen se në këto 5 vite në krye të diplomacisë shqiptare është orientuar nga Kushtetuta, Ditmir Bushati pohon se tani do të ketë më shumë kohë për familjen dhe politikën e ditës, ndërsa nuk e kurseu “thumbin” për të ardhmen: “Nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas. Puna jonë transformuese ka krijuar me siguri të pakënaqur dhe kundërshtarë. Por, një gjë është e sigurtë: sfidat na kanë bërë më të fortë, më të qëndrueshëm e shpresoj më të denjë për Shqipërinë e të nesërmes”.

Pasi mori stafetën nga Ditmir Bushati, Edi Rama bëri atë që kishte paralajmëruar, duke i kaluar “de facto” drejtimin e Ministrisë së Jashtme zv/ministrit Gent Cakaj, i cili më herët u refuzua nga Presidenti Ilir Meta.

“Është fjalë më e shkurtër në jetën time. Unë, në funksionin tim si ministër i Jashtëm, i delegoj zotit Gent Cakaj drejtimin e kësaj ministrie dhe përfaqësimin në institucionet ndërkombëtare”, tha Rama.

Zv/ministri Cakaj pohoi se politika e jashtme e Shqipërisë nuk do të ndryshojë dhe garantoi se Tirana do të vijojë të jetë faktor stabiliteti në Ballkan: “Mosha e re është burim energjie. Pavarësisht sfidave të mëdha, Shqipëria qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik. Shqipëria qëndron më afër se kurrë për hapjen e negociatave”.

Diplomacia shqiptare do të vijojë të drejtohet nga zv/ministri Cakaj deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, të cilës socialistët do t’i kërkojnë të shprehet mbi kompetencat e Presidentit.

Vetë Ilir Meta shmangu komentet direkte mbi lëvizjen e Ramës: “Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA