Për shkak të zgjatjes së bojkotit mësimor nga studentët, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka rikonfirmuar në mbledhjen e së hënës mbështetjen e kërkesave të tyre si dhe njëkohësisht respekton të drejtën studentore për të protestuar.
Në deklaratë theksohet sërish zëvëndësimi i orëve mësimore të parealizuara, duke garantuar plotësimin e programit mësimor për këtë vit akademik. Gjë që u përshëndet nga kryeministri Edi Rama, i cili kërkon që mësimi të fillojë një orë e më parë për shumicën që, sipas tij, po pengohet brutalisht.
Nga ana tjetër, për shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave të shkollimit dhe procedurave të marrjes së dokumentacioneve për përfitim burse, zv/ministrja e Arsimit, e dekretuar tashmë në krye të Ministrisë së Arsimit, Besa Shahini njoftoi se 54 punonjës të ketij dikasteri kanë qenë në dispozicion të studentëve, pranë sekretarive të Universiteteve.
Top Channel