Pak orë pas krimit të trefishtë në Elbasan, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj mblodhi kupolën e Policisë së Shtetit.
Por, gjatë këtij takimi me drejtuesit e policisë, vetëm për ngjarjen e Elbasanit nuk u fol. Sandër Lleshaj e krahasoi luftën ndaj lojrave të fatit të njëjtë me luftën ndaj kanabisit.
“Nga data 1 janar 2019, lufta ndaj lojrave të fatit është e njëjtë si ndaj parcelave, kjo është detyrë e rëndësishme për Policinë e Shtetit, ndaj ju thirra për t’ju dhënë këtë mesazh e për këtë ndaj kam thirrur edhe mediat”, deklaroi Lleshaj.
Në fjalën e tij dhe me drejtorin e përgjithshëm në krah, i cili mbante shënime, zoti Sandër Lleshaj foli gjithashtu për performancën e policisë, kryesisht për Policinë Rrugore, për një polici me uniforma të reja dhe pajisje të reja.
“Duke filluar nga data 1 janar, gjobat të dërgohen me postë, do të shtojmë pajisjet e reja si pajisje të sofistikuara dhe drone e të tjera për të zbutur mungesën e personelit”, theksoi Lleshaj.
Për këtë fundvit, drejtuesit e policisë morën porositë përsa i takon edhe rekrutimit të efektivëve të rinj: “Ju bëj thirrje drejtuesve që të rekrutojnë studentë të shkëlqyer”.
Në këndvështrimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, ja çfarë duhet të bëjë Policia e Shtetit për të mbajtur nën kontroll eksponentët e krimit: “Vëmendje e shtuar ndaj personave që janë nën kërkim ose atyre me rekorde të shumta kriminale”.
Porositë e ministrit Sandër Lleshaj vijnë në një kohë kur policia është e depolitizuar dhe këto urdhra ata duhet t’i marrin nga drejtuesit e Policisë së Shtetit, nga një polici e cila si sfidë kryesore ka luftën ndaj kriminalitetit, si sfidë kryesore ka zbardhjen e ngjarjeve të rënda, përfshi edhe vrasjen e trefishtë në Elbasan.
Top Channel