Prezantohet drejtori i ri i Hipotekës së Shkodrës

27/09/2018 15:45

Gjokë Jaku është drejtori i ri i Hipotekës së Shkodrës, pas arrestimit të drejtorit të mëparshëm Zamir Leka.

Jaku mbante postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të hipotekës në Shqipëri. Duke parë situatën e fundit dhe vështirësitë në Hipotekën e Shkodrës, pas rasteve korruptive dhe shkarkimit e arrestimit të disa zyrtarëve të këtij institucioni, Drejtoria e Përgjithshme ka vepruar menjëherë duke mos e lënë bosh vendin e drejtorit në Hipotekën e Shkodrës.

Në këtë mënyrë, Gjokë Jaku është prezantuar si kreu i ri në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Shkodër. Gjatë ditës së sotme është bërë edhe prezantimi i ri përpara punonjësve të mbetur në Hipotekën e Shkodrës. Tashmë, pas arrestimit të drejtorit të mëparshëm Zamir Leka dhe shkarkimit të tij bashkë me disa zyrtarë të tjerë apo ndalimit të ish-juristit Mirjam Bletaj dhe procedimit të ish-juristes, Frida Mirashi, drejtori i ri i komanduar që vjen nga qendra nuk do ta ketë të lehtë që ta normalizojë situatën.

Momentalisht, Hipoteka e Shkodrës pas kësaj goditjeje të prokurorisë dhe policisë është e trazuar, ndaj do të duhet pak kohë që gjendja t’i rikthehet normalitetit.

Gjokë Jaku nuk është një emër i panjohur pasi ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në rang qendror, por edhe rajonal duke qenë në poste të ndryshme. Ai vjen nga radhët e Partisë Socialiste.

Ditët e fundit, kreu i mëparshëm Zamir Leka u arrestua teksa ndodhej në zyrën e tij pasi akuzohet nga prokuroria dhe policia për korrupsion, ndërsa ka dyshime se për një praktikë merrte 5 mijë euro apo edhe më shumë në disa raste dhe këtë, sipas organit të akuzës, e bënte i ndihmuar nga ish-juristja Frida Mirashi, e cila u la në “arrest shtëpie”.

Përpara ish-drejtorit Leka, prokuroria lëshoi urdhër-ndalimi edhe për ish-juristin Mirjam Bletaj dhe disa sekserë të dyshuar që u merrnin para të tjerëve për praktika të ndryshme në zyrën e Hipotekës së Shkodrës.

Tashmë, për një kohë të pacaktuar në Hipotekën e Shkodrës do të qëndrojë i komanduar zëvendësdrejtori i përgjithshëm, Gjokë Jaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA