Demokratët tentuan bllokimin e punimeve të Komisionit të Ligjeve, ku pjesë e rendit të ditës ishte edhe projektligji për negocimin e kontratës së Teatrit të ri Kombëtar.
Dhjetë minuta pushim kthyen normalitetin, ndërsa Mirela Kumbaro pati mundësinë të paraqiste qetësisht para komisionit arsyet pse duhet një teatër i ri: “Ky objekt nuk u konsiderua i denjë për t’u përfshirë në statusin monument kulture, ndryshe nga objekte të tjera rreth tij, si ndërtesa e Galerisë Kombëtare apo ministritë. Godina e Teatrit Kombëtar, referuar vlerësimit të ekspertëve, jo vetëm që nuk plotëson asnjë standard bashkëkohor lidhur me anën funksionale, por edhe nëse do të kryhej rikonstruksioni i saj, sado i kushtueshëm dhe i thellë të jetë, nuk e sjell atë në kushtet optimale teknike”.
Sipas opozitës, projektligji është në shkelje të Kushtetutës dhe disa ligjeve të vendit. Demokratët akuzuan mazhorancën se po mundohet të shpërndajë përgjegjësinë ligjore duke firmosur të gjitha shkresat e kësaj çështjeje nga zëvendësat. Jorida Tabaku u shpreh: “Pse ka qenë zonja ministre e vetmja që ka marrë përsipër ta firmosë, ndërkohë që për Ministrinë e Financave ka firmosur zëvendësministri? Për Kryeministrinë ka firmosur zëvendëskryeministri; asnjë dokument nuk ka firmosur kryetari i Bashkisë Tiranë. Pse kanë frikë që ta mbajnë vetë përgjegjësinë?”
Meqënëse kishin në komision përfaqësuesen e kulturës në qeveri, i treguan asaj edhe një bisedë audio ku pretendohet se dëgjohet zëri i Kryeministrit ndërsa përdor një gjuhë jo të përshtatshme për detyrën.
Ulsi Manja tha: “Aktorë më të mirë nuk ka për të pasur teatri. Ia keni marrë dorën regjistrimeve ju”.
Demokratët debatet e forta për teatrin i vijuan edhe në Komisionin e Ekonomisë, ku do të diskutohej ulja e taksave.
Top Channel