Debat për integrimin dhe Toyota-n. Rama: Lajm i mirë; Basha: Shqipëria u refuzua

28/06/2018 18:54

Kthesa e madhe e paralajmëruar nga Lulzim Basha u përkthye në një rikthim të normalitetit në Parlament, me të cilin opozita ishte në marrëdhënie të kushtëzuar që prej marsit.

Konferenca e Kryetarëve pranoi kërkesën e demokratëve për të zhvilluar debat mbi çështjen e negociatave, duke përcaktuar 7 orë e gjysmë.

“Të debatojmë pse Shqipëria ka këtë opozitë që është e vetmja në historinë e procesit të integrimit që punon kundër vendit të vet. Në këtë stad të ri barra jonë është e rëndë, sa nuk mund t’i mbajmë më këta në kurriz”, tha Rama.

“Le ta nisim betejën për të vërtetën sot dhe të mos e ndalim derisa ta largojmë Edi Ramën dhe klikën e tij të korruptuar dhe t’i japim vendit qeverinë që do të bëjë të mundur plotësimin e aspiratës sonë për Shqipërinë si gjithë Europa”, deklaroi Basha.

Pa habitur askënd, të dy e lexojnë ndryshe qëndrimin e vendeve anëtare në lidhje me negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.

Rama e lexon kështu: “Sot kam marrë ftesën bashkë me kryeministrin maqedonas për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel për të filluar diskutimin për punën përgatitore. Ne kemi datën për negociata, këta thonë jo. Qershorin e kanë problem sepse atëherë i pësojnë të gjitha goditjet. Në korrik vjen ekipi i Komisionit Evropian. Pikërisht për programin”.

Ndërsa Basha u shpreh: “Ka një shtyrje të vendimit me një vit dhe nëse kushtet nuk plotësohen, prapë nuk ka hapje negociatash. Do të ketë një kontroll rigoroz të plotësimit të 13 kushteve. Komisioni Europian do të vijë në korrik për ta nisur nga fillimi detyrën, jo për t’i krehur bishtin Edi Ramës”.

Kur argumentat politikë shterruan, erdhën akuzat reciproke për tradhti.

Rama pyeti: “Pse keni rënë në prehrin e Esat Pashë Toptanit? Pse jeni katandisur në një tufë efendilerësh dhe sadistë?”

Basha u përgjigj: “Esat, Haxhi Qamil dhe Hamza Kastriot kemi vetëm një: njeriun që zgjodhi të tradhtojë interesat e shqiptarëve”.
Të pakënaqur, u morën edhe me punët e Zotit. Kryeministri theksoi: “Sinqerisht është fatkeqësi që nuk kemi opozitë. Mirë e tha një nga etërit themelues: O Zot, e kufizove inteligjencën, po budallallëkun pse e le pa kufi?”

“Nuk e kufizoi budallallëkun që të durojmë këtë dhe të kuptojmë se çfarë ndodh kur zgjedh të të vjedhë votat një mashtrues, një hajdut dhe një njeri i lidhur me krimin si askush në 28 vite”, u përgjigj Basha.

Për të vënë në lojë mazhorancën demokrati Salianji u paraqit me një Toyota Yaris në Kuvend dhe dy çanta gjoja me para’, të cilat Garda nuk lejoi të mbërrinin deri në sallë.

Ndërsa Taulant Balla i tregoi Lulzim Bashës lidhjet e tij me paratë e kapura në Durrës: “Ja ku je Lulzim me vëllain e personave në kërkim për drogë, për paratë. Ky derdimen që e keni bërë kryetar partie njofton vëllain e mikut nga foltorja e Kuvendit që të mos i bjerë nga Ankona, por nga Bari”.

LSI e vlerësoi debatin parlamentar jo në nivelin e saj dhe u largua më herët nga salla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA