Nikolla: “Mësues për Shqipërinë” pengon mësuesit jo cilësorë të hyjnë në sistem

15/06/2018 12:09

Pas turit të takimeve me maturantët në shumë shkolla të vendit, ku ka diskutuar për kriteret dhe mbështetjen e ofruar në degët e mësuesisë, ministrja e Arsimit është ndalur në universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës ku ka zhvilluar një takim me stafin akademik dhe pedagogët e fakulteteve të edukimit.

Gjatë këtij takimi, Nikolla ka kërkuar nga universitetet të plotësojnë pritshmëritë që kanë maturantët, pasi shumë prej tyre kanë deklaruar se do të zgjedhin si profesion të parë mësuesinë. Ministrja kërkoi nga stafet akademike të vijojnë me punën për riorganizmin e programeve të studimeve dhe përafrimin e kurrikulave.

Mes diskutimeve të hapura, ministrja theksoi se me portalin “Mësues për Shqipërinë” është ngritur një filtër i parë si kërkesë e kohës që pengon mësuesit jo cilësorë të hyjnë në sistem. Por tani sipas Nikollës, është radha e universiteteve të tejkalojnë veten dhe të tregojnë se janë gati të përballojnë maturantët më të mirë në këto programe.

“Lejomëni t’u them se konstatoj me shumë emocion faktin që ka maturantë, madje maturantë që vijnë nga ekselenca, që kanë vendosur dhe zgjedhje të tyre të parë do të kenë programet e mësuesisë, madje edhe në lëndët e shkencave egzakte, ku ndoshta ka pasur një lloj hezitimi nga maturantët. E gjitha kjo ndodh për t’i dhënë një rëndësi të vecantë dijes në arsimin parauniversitar. Biem dakord nëse themi që mësuesit dhe cilësia e tyre është kushti themelor për të pasur cilësi në arsimin parauniversitar dhe më pas kjo cilësi për të ardhur në arsimin e lartë dhe kështu me radhë. Do të kërkoja nga secili prej jush nga profesorët që jepni mësim në programet e mësuesisë, departamentet po ashtu, një vëmendje të plotë dhe një qartësi me gjithçka që ka ndodhur në arsimin parauniversitar për sa i përket qasjes së re kurrikulare të orientuar nga kompetencat. Ju lutem, jo vetëm se është një detyrim ligjor, por shiheni edhe si një prioritet të kohës, duke u ngritur në nivelin e përgjegjshmërisë qytetare që të gjithë kemi, për të adresuar këtë problem, këtë plag të rëndë në fakt të sistemit arsimor, që lidhet me cilësinë e mësuesve. Ka shumë rëndësi nëse ne këtë vit do të dimë bashkarisht ta adresojmë këtë moment, është një nder i madh që i bëjmë shkollës shqiptare. Diga e parë për të cuar në shkollat e fëmijëve tanë mësues cilësorë në ato diploma që kemi, është ngritur, besoj se jeni ju ata që do të bëni të mundur atë që është shumë e rëndësishme, formimin bazë të mësuesve cilësorë në programet tuaja të studimit.”- u shpreh Nikolla.

Një tjetër prioritete që ministrja Lindita Nikolla adresoi ndaj trupës akademike janë edhe programet 2 vjeçare profesionale të studimit, të cilat do duhet të kenë më shumë vëmendje nga universitetet për t’i zhvilluar, pasi profesionistët e këtij niveli i kërkon me ngulm tregu shqiptar i punës.

“Është absolutisht prioritet i qeverisë shqiptare, në cdo tryezë që kam organizuar me rektorët, kam bërë thirrje për një vëmendje të posaçme në programet dy vjecare profesionale në institucionet tona të arsimit të lartë publik. Eshtë një shërbim i munguar edhe në sasi dhe në cilësinë e duhur, absolutsht është në vëmendjen e qeverisë.”- theksoi titullarja e Ministrisë së Arsimit

Ministrja kërkoi nga Universiteti i Durrësit por edhe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, të përmbushin rekomandimet dhe objektivat e lënë nga grupi britanik i akreditimit disa muaj më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA