Kryeministri Edi Rama ishte në stacionin e kompresorëve të gazit në Fier, që konsiderohet një tjetër vepër madhore e projektit të gazsjellësit TransAdriatik TAP.
“Investim realisht i përmasave të pazakonshme që shtrihet në hapësirën e barabartë me 25 fusha futbolli”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, ky stacion ka filluar që tani të ndikojë në ekonominë e zonës, pasi 70% e të punësuarve janë vendas.
“Ky stacion që do të jetë gati për të filluar operimin tregtar në vitin 2020, pritet të arrijë gjatë këtij viti në më shumë se 250 punonjës, ndërkohë që janë mbi 100 vende të tjera pune që janë gjeneruar për kompanitë që bashkëpunojnë me projektin në Fier, Tiranë, Elbasan dhe Korçë dhe që janë të domosdoshme për ecurinë e projektit”, theksoi Rama.
Projekti TAP, theksoi kryeministri, do ta shndërrojë trekëndëshin Ballsh-Fier-Patos në një motorr të fuqishëm industrial të vendit.
“Në masterplan identifikohet qartë se zona e parë përfituese e gazit në Shqipëri, por edhe zona strategjike për këtë risi në ekonominë shqiptare do të jetë trekëndëshi Ballsh-Fier-Patos. Vetë masterplani e konsolidon Fierin si një nyje nevralgjike të industrisë së hidrokarbureve dhe të gazit në vendin tonë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Edi Rama nënvizoi se ecuria e projektit nuk ka shënuar vonesa dhe marrëdhënia korrekte, sipas tij, e TAP-it me administratën publike, ka bërë që edhe kompani të tjera të shfaqin interes.
Top Channel