Shërbimi i kontrollit fizik të automjeteve do të liberalizohet brenda verës.
Ministria e Infrastrukturës i ka hapur rrugë sektorit privat që të realizojë këtë shërbim. Çdo automjet, përpara se të pajiset me leje qarkullimi duhet më parë që të kryejë kontrollin fizik, një procedurë kjo që bëhet nga drejtoritë e transportit rrugor në rrethe, ku verifikohet numri i shasisë, marka dhe modeli i mjetit, lloji i kambios, ngjyra, tipi i motorit, karburanti që përdor, numri i akseve etj.
Kontrolli fizik kryhet kur bëhet targimi për herë të parë dhe sa herë ka ndryshime të targave apo të të dhënave fizike të mjetit. Me liberalizimin e këtij shërbimi, çdo subjekt privat që është i akredituar nga Ministria e Infrastrukturës mund të realizojë kontrollin fizik.
Arben Dhima, drejtor i derregullimit të lejeve dhe licencave në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë: “Ideja është që këto shërbime të jenë sa më pranë qytetarit, për të shmangur radhët e gjata, pritjet, burokracitë dhe abuzimin”.
Shërbimi kushton 1500 lekë, por, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, me liberalizimin e tij mund të ketë ulje të çmimit.
“Ne presim që tarifat të ulen, jo të rriten. Eksperiencat kanë treguar se kur shërbimet ofrohen në treg të lirë, gjithmonë ka një tendencë të uljes së çmimeve”, thekson Dhima.
E gjithë baza e të dhënave do të administrohet nga Drejtoria e Transportit Rrugor, por kompania që do të bëjë kontrollin fizik do të lëshojë certifikatën me vulën dhe logon e saj.
Kjo e fundit do t’i jepet përdoruesit të mjetit për të vijuar më pas me regjistrimin e targës. Çdo vit në Shqipëri importohen 30-40 mijë mjete, të cilat targohen për herë të parë.
Top Channel