Lulzim Basha tha se deklarata e gazetarit Jetmir Olldashi është një tjerë provë se Kryeministri Rama gënjeu për ekspertizën e audio-përgjimit.
“Kur gazetarët i kërkuan se në cilën agjenci e ka bërë ekspertizën brenda 24 orëve heshti dhe i bëri bisht përgjigjes. Kjo për një arsye të thjeshtë: Edi Rama është pjesë e këtij skenari, e këtij komploti për të mbuluar veprat kriminale që janë denoncuar”, deklaroi ai.
Kreu i PD tha se Kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë të dyshuar sot për veprën penale të mbulimit të veprimtarisë kriminale të Agron Xhafajt, të mosveprimit të ligjit antimafia, për falsifikimin e dokumentave zyrtare dhe korrupsionit të zyrtarit të lartë në detyrë. Ndaj Kreu demokrat bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 26 majit.
“Luftën dhe jo përkëdheljen dhe mbrojtjen e krimit të organizuar. Luftën ndaj korrupsionit, drejtësinë e barabartë për të gjithë përmes një drejtësie të vërtetë dhe jo false, me prokurorë të kapur e me gjyqtarë të kapur. Pa zgjidhur këtë, Shqipëria nuk ka shpresë, t’i hapet dera e Europës”, vijoi ai.
I menjëhershëm erdhi reagimi i Kryeministri Edi Rama
“Zhytu Lulëzim zhytu,thellë e më thellë,nxirr nga fundi i llumit sa më shumë nga këta xhevahirë dhe dërgojua vrap miqve të tu t’i përdorin kundër Shqipërisë! Unë do pres me durim provën shkencore të audiopërgjimit nga prokuroria dhe këtu jemi, shqiptarët do shohin e do gjykojnë!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Top Channel