PD bllokon Kuvendin, Basha: Policia përndjek dëshmitarin

17/05/2018 15:27

Në përvjetorin e parë të marrëveshjes Rama-Basha, Kryeministri mungoi ndërsa toni i kryeopozitarit dëshmonte dashurinë e thyer politike.

Nga foltorja e Parlamentit, lideri i opozitës mbrojti autenticitetin e përgjimit në të cilin pretendon se është protagonist vëllai i ministrit të Brendshëm, ndërsa akuzoi Qeverinë se po ushtron presion ndaj bashkëpunëtorit në atë përgjim.

“Nëse siç pretendon kryeprokurori, kryeoligarku Rama, se audiopërgjimi nuk është i vërtetë, pse i janë vënë prapa dëshmitarit X dhe familjes së tij. Nga e di policia e Xhafjat kush është dëshmitari X. Gjithçka në atë bisedë është e vërtetë”, tha Basha në Kuvend.

Tejkalimi i kohës që i lejon rregullorja e përplasi me kryeparlamentarin, ndonëse Gramoz Ruçi i dha disa minuta shtesë.

Basha: Tani po të them Gramoz Ruçi, gojën opozitës nuk ke për të ja mbyllur dot.

Ruçi: Nuk është në dorën time që t’i mbyll gojën opozitës, përkundrazi. Opinioni publik po pret të dëgjojë fjalën e të gjithë kolegëve opozitarë për 7 orë. Kjo nuk është mbyllje goje. Mezi po pret zoti Berisha të marrë fjalën.

Ndonëse Ruci ndërpreu dy herë seancën, Basha vijoi fjalimin përmes mediave sociale, ndërsa deputetët e tij i bënin kameramanin me telefon celular. Me në sallë vetëm deputetët e opozitës dhe mediat jashtë, kryedemokrati iu rikthye mesazheve të para ngritjes së çadrës, duke paralajmëruar vendime të mëdha.

“Është dita të marrim vendime të mëdha. Ne do jemi në krahun tuaj në aksion popullor do shkulim së bashku nga pushteti këtë mafia që ka kapur Shqipërinë”, tha Basha.

Pas kësaj opozita u largua nga salla, ku ndërkohë kishte mbërritur lajmi se Izet Haxhia kishte kërkuar rihapjen e çështjes Hajdari. Jashtë, Sali Berisha i bënte thirrje popullit.

“Ta nxjerrim nga zyra, ta hedhim në Lanë, si një kalbësirë që po qelb Shqipërinë”, tha Berisha.

Me largimin e demokratëve seanca rifilloi punimet me Taulant Ballën, që duket se i përcolli Bashës urimet e Edi Ramës në përvjetorin e marrëveshjes mes tyre.

“Kujt këtu që përmes asaj marrëveshje, Demiraj mbajti pozicionin e ministrit të Brendshëm për 5 muaj me radhë. Si ka mundësi që Demiraj nuk e bëri nëse do të kishte ekzistuar ndonjëherë një urdhër arresti për Agron Xhafën”, tha Taulant Balla.

Monika Kryemadhi kishte një ide mbi autorin e përgjimit të publikuar nga opozita, ndonëse i shpëtoi një emër më shumë nga sa donte të thoshte.

“Mbrojtja që i bëri ministrit të Brendshëm nuk ka të bëjë me ministrin e Brendshëm sepse ishte ai që ia nxori dhe e regjistroi Saimir Tahirin, që e nxori dhe e regjistroi Fatmir Xhafajn, që ishte ai që ia nguli thikën Xhafajt dhe i thotë se po të mbaj”, u shpreh Kryemadhi.

Fatmir Xhafaj nuk e gjeti opozitën në sallë, ndërsa mori urimet e kolegëve për ditëlindjen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA