Tregu monopol në Tiranë. Qiratë deri në 40 euro për metër katror

30/04/2018 22:54

Në tregun agro-ushqimor të shumicës në kryeqytet 1 kg domate Berati shitet me 120 lekë. Ky është i vetmi treg shumice për tregtarët e kryeqytetit. Duke qenë e vetmja alternativë e shitjes me shumicë të produkteve bujqësore në Tiranë, edhe çmimet e qirave janë të larta. Ato variojnë nga 13 deri në 40 euro për metër katror në muaj, në varësi të kushteve që ofrohen, dhoma frigoriferike, ruajtje fizike etj.

Qiraja është thuajse e barabartë me ato të qendrave tregtare më luksoze të Tiranës, thonë jashtë kamerave tregtarë që ushtrojnë aktivitetin në këtë treg. Të qënurit monopol i shumicës, shtojnë ata, i lejon pronarëve të këtij biznesi që të vendosin çmime qiraje të larta. Ndikimi në çmimin e produktit final është jo i vogël. Aktualisht, domatet në Myzeqe dalin nga serrat me një çmim prej rreth 80 lekësh kilogrami.

Më pas, malli shkon në tregjet e shumicës, ku tregtarët e vegjël e blejnë produktin që më pas ia shesin konsumatorëve. Por, në kryeqytet çmimi vjen me rritje të ndjeshme në të vetmin treg shumice që ndodhet në hyrje të Tiranës. Tregu është i licensuar nga bashkia, e cila thotë se nuk ka kërkesë nga subjekte të tjera për të hapur treg të ri shumice.

Dhe në këto kushte, qytetarëve i duhet që një produket që del nga serra 80 lekë për kilogram, ta paguajnë gati dyfish derisa të mbërrijë në duart e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA