Majko me shqiptarët e Çikagos, qendrat fetare kontribut për ruajtjen e traditës

23/04/2018 16:50

Qendrat fetare të themeluara nga komuniteti shqiptar nëpër botë, janë kthyer në vatra të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare.

Kontribut të paçmuar në këtë aspekt kanë dhënë Kisha Ortodokse Shqiptare “Shën Nikolla” dhe Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane në Çikago, të vizituara të dielën nga Ministri i Shtetit për Diasporën. Kisha, e cila feston 75 vjetorin vitin e ardhshëm, është një prej më të vizituarave në SHBA dhe përfshin një qendër kulturore të pasur me artefakte dhe foto të rralla të historisë shqiptare.

Ministri Majko informoi të pranishmit mbi planin për hapjen e një seksioni kushtuar diasporës në Muzeun Historik Shqiptar, ku siç tha, mund të ekspozohen materialet e mbledhura nga komuniteti ortodoks. Pjesë e koleksionit janë foto të pashfaqura të Faik Konicës.

Në Kishë zhvillohet edhe mësim i gjuhës shqipe. Ndërkaq, gjatë vizitës në Qendrën Islamike Shqiptaro Amerikane, z. Majko përgëzoi përpjekjet e jashtëzakonshme të pjesëtarëve të saj, për ta kthyer qendrën në një vatër të shqiptarizmit. Ministri u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë për të çuar para punën e nisur nga komuniteti. Qendra Islamike, ku gjithashtu zhvillohet mësimi shqip, ka një aktivitet të pasur kulturor dhe linguistik.

Ndërkaq, në takimin e zhvilluar me Komunitetit Shqiptar të Illinois (AACI). Ministri Majko vlerësoi maksimalisht punën e shoqatave që veprojnë atje dhe tha se do të përkrahë çdo iniciativë organizuese të tyre. Ndërsa përmendi takimet e zhvilluara në Uashington me Grupin e Miqësisë Shqiptaro-Amerikane, Majko tha se po përpiqej të nxiste rivendosjen e marrëdhënieve të ngushta që ka pasur komuniteti shqiptar me kongresin dhe senatin para luftës.

“Këshilli është një organizëm shumë i rëndësishëm, pasi në të njëjtën tryezë do të ulen 15 anëtarë të diasporës. Krah tyre do të jenë Kryeministri, Presidenti dhe Ministrat më të rëndësishëm. Këshilli Koordinativ do të bëhet pika e komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe përfaqësueseve të diasporës”, tha Majko, i cili shtoi se përfaqësuesit e diasporë do te hedhin ne tryeze problemet kryesore. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për shqetësime të tjera të komunitetit, si çështja e regjistrimit të shtetasve jashtë vendit, hapja e qendrave kulturore, votimi etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA