Kukësi kundërshton aplikimin e taksës për “Rrugën e Kombit”.
Me një qëndrim të përbashkët, Këshilli Bashkiak i qytetit i ka kërkuar qeverisë dhe Parlamentit anulimin e taksës, ndërsa ftojnë të gjithë qytetarët në një protestë paqësore.
Arif Rexhmati, kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë, tha: “Kryeministri ka heshtur, institucionet kanë heshtur, kreu i Parlamentit ka heshtur… Propozim im është që të caktojmë një ditë dhe një orë për një protestë paqësore për kundërshtimin e taksës”.
Ndërsa Tatjana Kërgjaliu, kryetare e grupit të këshilltarëve të majtë, u shpreh: “Një grup prej nesh të shkojmë te prefekti, që të njihemi nga afër me përgjigjen e instancave”.
Kundër është shprehur edhe shoqëria civile.
“Ne nuk e kemi parë ndonjëherë veten më keq se tani. Do të kemi pamundësi lëvizjeje. Kuksianët nuk kanë reaguar dhe kjo është një e metë e jona si shoqëri”, deklaroi Rifat Demalija.
Ndërkohë që Lavdrim Shehu theksoi: “Është një barrë financiare që i vendoset qytetarëve dhe një pengesë e madhe psikologjike për njerëzit”.
Vendosja e taksës për kalimin në “Rrugën e Kombit” do të përkthehet menjëherë në rritjen e çmimit të biletës nga shoqëritë e transportit privat: “Deri tani kemi punuar me një biletë që kushton 400 lekë, ndërsa taksa na detyron ta rrisim këtë çmim”.
Aplikimi i tarifës 5 euro për një kalim për automjetet e vogla nis shpejt, ndërsa kompania koncesionare është ende në fazën e testimit të rrjetit.
Top Channel