Qeveria mblidhet në Elbasan, Rama: Tiranë-Elbasan gropa e një marrëzie të shkuar

13/03/2018 19:27

Shtegtimi rajonal i Qeverisë ndaloi këtë muaj në Elbasan, nga ku Kryeministri konfirmoi lajmin e publikuar një ditë më parë nga Top Channel, se rruga Elbasan-Tiranë do të kërkojë të tjera fonde shtesë nga buxheti i shtetit.

Rama pohoi se kjo ndodh për shkak të keqmenaxhimit dhe projekteve që i quajti skandaloze, ndërsa shtoi se brenda vitit rruga do të përfundojë.

“Është e vërtetë. Do të marrim përsipër financimin. Është gropa e një marrëzie të shkuar dhe një babëzie të freskët. Për marrëzinë e shkuar kanë paguar qytetarët dhe buxheti, shpresoj që për babëzinë e freskët të paguajnë përgjegjësit”, u shpreh Kryeministri.

E njëjta qasje do të ndiqet edhe me aksin Qukës-Qafë Plloçë, që lidh Elbasanin me Korçën, të cilin Kryeministri e konsideron gjithashtu një tjetër gropë të së shkuarës. Ndërkohë, tha se po përfundon një tjetër aks që e ka nisur me qeverinë e tij.

“Po finalizohet një aks i ri rrugor i nisur në mandatin e parë, që krijon kushtet për forcimin e një poli të natyrshëm ekonomik, mes Elbasanit dhe Beratit”, tha Kryeministri.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, Qeveria ka nisur një fazë të re për sa i përket sigurimit të medikamenteve të shtrenjta, siç është rasti i herceptinës, mungesa e të cilës pamundësonte seancat e trajtimit me kimioterapi të pacienteve.

“Kanal komunikimi mes qeverise dhe kompanisë mëmë. Kemi marrë sinjal pozitiv për ulje të rëndësishme të çmimit që bën të mundur marrjen e medikamentit”, u shpreh Kryeministri.

Qeveria vendosi gjithashtu të shkrijë 13 drejtoritë bujqësore duke kaluar në 4 agjenci rajonale të seksionit bujqësor dhe 4 të veterinarisë e mbrojtjes së bimëve.

Por çfarë mendojnë qytetarët për mbledhjen e qeverisë në qytetin e tyre?

“Nuk e di se çfarë do të bëhet. Nuk i besojmë më këtyre ne. Nuk kemi asnjë lloj shprese. Nuk kanë bërë asgjë për ne, vetëm për veten e tyre”, shprehen qytetarët e Elbasanit.

Në axhendën e Qeverisë në Elbasan ishte edhe një aktivitet në kuadër të bashkëqeverisjes me njerëzit, ku Kryeministri tha se janë 5000 rastet kur qytetarët i janë drejtuar platformës online, përmes së cilës kanë gjetur zgjidhje probleme që në pjesën më të madhe shtyheshin prej vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA